Ashtu siç jetoi edhe u kujtua.
Fotoreporteri i së vërtetës, Alban Bujari u nderua nga shumë miq, bashkëpunëtorë e profesionistë të gazetarisë në mbledhjen komemorative që u mbajt në bibliotekën kombëtarë në Prishtinë.
Në këtë ceremoni u shfaq edhe një dokumentar për punën e jashtëzakonshme të Albanit për dokumentimin e krimeve të luftës dhe angazhimin e tij në paqe për grupin “Koha”.
Themeluesi i këtij mediumi, Veton Surroi, e vlerësoi lart kontributin e fotoreporterit Bujari duke thënë se ai me punën e tij kontribuoi ne lirinë e Kosovës.
“Kremtojmë jetën e një njeriu që e deshi lirinë dhe e jetoi lirinë duke e krijuar. Liria nuk është dhuratë, është një akt i vazhdueshëm krijimi. Albani ishte një krijues i saj. Një nga ta jo që vetëm e përjetuan lirinë e Kosovës, por edhe e ndihmuan ta ndërtonin. Ishte aty me aparatin e tij duke regjistruar dhe dëshmuar rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, rrugëtimin pjesë e të cilit ishte ai vetë”, u shpreh Surroi
Me shumë dhimbje për Albanin foli edhe bashkëshortja, Jeta Dida-Bujari.
“Albani ishte sytë tanë për realitetin, duart tona për drejtësinë dhe zëri ynë për të pathënat. Për mua, për ne, ai ishte shumë më tepër se fotograf. Që më mbushi zemrën me dashuri, që më mbajti dorën në kohë të vështira, njeriu që i mësoi fëmijët tanë të jenë të ndershëm, të guximshëm dhe të mos kenë frikë të ëndërrojnë. Mungesa e tij është e pamatshme, dhimbja për humbjen e tij është e pafundme”, tha ajo.
Kurse i biri i Alban Bujarit, Zjarri, tha se gjurmët e babait të tij do të mbesin përgjithmonë në histori.
“Babi në fund të luftës e pati edhe një copë të mendjes së vet që palëvizshëm mbeti në atë kohë. Ishte një burrë besnik, i ndershëm, i sinqertë, modest, kategorik e parimor, e madje edhe kokëfortë. Vitet, dekadat e shekujt do të shkojnë, por gjurmët e babit do të mbesin e nuk do të harrohen. Ai nuk arriti të plakej bashkë me neve, ai nuk plaket kurrë”, tha Zjarr Bujari.
E këtë foto tashmë përkujtuese të Albanit vetëm para dy muajsh e kishte shkrepur kolegu i tij i ngushtë, Besnik Hamiti.
“Fotoja që e kam shkrepur është nga ekspozita e fundit e Albanit në Prishtinë. Kush e ka menduar se kjo do të bëhej një foto përkujtuese”, u shpreh Hamiti.
Alban Bujari ishte ndër fotoreporterët e parë kosovar që mbuloi luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Fotografitë e tij për krimet e luftës u publikuan edhe në shumë medie ndërkombëtare duke e alarmuar botën perëndimore.
Ai vdiq në moshën 55 vjeçare në Prishtinë.