Dhjetëra të moshuar nuk dinin se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre pasi institucioni ku ata po qëndronin u mbyll nga shteti. Autoritetet në Kosovë nuk u bënë vend të moshuarve, ndërsa familjarët ankohen se patën vështirësi për sistemimin e tyre, pasi që në vendimin për qendrën “Orenda”, në Pejë, thuhej se e njëjta duhet të mbyllet për 24 orë.
Gati dy vjet më parë, autoritetet në Kosovë kësaj qendre ia morën licencën pas publikimit të një videoje që tregonte se si keqtrajtohej një e moshuar nga infermieret.
Valter Gjeloshi, i cili jeton në Amerikë e kishte vendosur babain e tij në këtë qendër për të moshuar. Ai ishte një nga 29 të moshuarit që qëndronin në këtë institucion deri në fund të vitit 2022.
Gjeloshi tregon se asnjë qendër nuk ka qenë e hapur atë kohë për sistemimin e babait të tij.
“Ka qëndruar këtu në Amerikë për gjashtë muaj derisa kemi gjetur një vend tjetër për ta dërguar, por gjashtë muaj ka zgjatur derisa kemi gjetur një vend tjetër për ta dërguar….Nuk kemi pasur asnjë kontakt me institucionet, as me shtet, as me askënd, nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Vetëm kemi qenë të informuar brenda dy ditëve që të tërheqim nga ‘Orenda’”, tregon ai.
Prindi i tij tashmë po qëndron në një qendër për të moshuar në Istog, por Valteri shprehet i pakënaqur me mënyrën se si ishte detyruar ta tërheq babain nga qendra paraprake.
KP”Ore ka tentuar të mësojë nga Ministria e Financave, Punës dhe Trasfereve për hapat që kishin ndërmarrë pas mbylljes dhe nëse kanë informacione lidhur me të moshuarit, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Informacione zyrtare nuk ka as Komuna e Pejës, meqë zëdhënësi, Faik Zekaj thotë se nuk është kompetencë e tyre.
“Informacione të sakta nuk kemi që të na njoftojnë zyrtarisht, për shkak se ai e ka procedurën me Ministrinë e Financave, nuk e ka me Komunën e Pejës. Në komunë e ka marrë vetëm objektin në shfrytëzim, në ankand publik e ka rinovuar, e ka rregulluar dhe e ka bërë si shtëpi të pleqve. Tash sipas informatave, një pjesë i kanë marrë familjarët e tyre, një pjesë është një shtëpi e pleqve në Zahaq, komplet një shtëpi private, kemi informata por jo zyrtare, kështu që saktësisht se çfarë ka ndodhur ne si komunë nuk kemi saktë informacione. Kemi si drejtori e Mirëqenies Sociale, por tash për këtë kohë nuk kemi informata se ku janë”, deklaron ai.
Pas mbylljes së Orendës, Qendra për Kujdesin ndaj të Moshuarve në Zahaq të Pejës, kishte marrë shumë kërkesa nga familjarët për vendosjen e të moshuarve. Pronari Liridon Kastrati thotë se kapacitetet kanë qenë vetëm për dy të moshuar.
“Në momentin kur ka ndodhur rasti i Orendës, ne nuk kemi pasur hapësirë shumë, dy vende të lira i kemi pasur dhe kërkesat në atë moment kur ka ndodhur rasti, kanë qenë shumë të mëdha, mirëpo nuk kemi pasur mundësi që t’i pranojmë për shkak të vendit. Dy banorë të cilët janë pranuar nga qendra ‘Orenda’, kanë ardhur dhe me pranim të rregullt si të gjithë banorët që pranohen me kërkesa të familjarëve….Ka qenë dy-tri ditë pas rastit që ka ndodhur, kanë qenë kërkesa më intensive më të mëdha, por edhe gjatë kohës pas një muaji por janë edhe sot kërkesa në rritje për regjistrimin e tyre (për banorë të rinj)”, thekson ai.
Pronari i qendrës për të moshuarit “Orenda”, në Pejë, Anton Rasaj e konsideron të padrejtë mbylljen e institucionit që ai e drejtonte.
“Pas vendimit për mbylljen e Orendës për 24 orëve e kanë marrë të premten në orën 16:00, ku kërkohet që brenda 24 orëve të gjithë banuesit janë të detyruar të dalin nga Orenda, këtu ndodhë krimi i dytë njerëzor ndaj të drejtave të njeriut nga qeveria jonë e tanishme apo nga personat përgjegjës në Ministrinë e Financave, sepse në asnjë institucion nuk ekziston mundësia që brenda 24 orëve banuesit të jenë të detyruar të lëshojnë vendstrehimin apo institucionin tonë ‘Orenda’. Unë i kam informuar familjarët, familjarët kanë qenë kategorisht kundër tërheqjes së familjarëve nga ‘Orenda’. Na kanë përkrahur tërë kohën, i kam edhe faktet, edhe shkresat, kemi edhe peticione të familjarëve të cilët janë kundër tërheqjes së familjarëve të tyre nga ‘Orenda’”, shprehet ai.
Ai beson se do ta rikthejë licencën e punës, meqë konsideron se në këtë rast është bërë “komplot shtetëror”.
Rasaj tregon se ka bërë katër padi ndaj institucioneve dhe njerëzve të përfshirë në këtë rast, por që nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi thotë se provat tregojnë për fajësinë e tre personave, të cilat brenda disa sekondave kanë goditur disa herë të moshuarën.
“Ky rast fillimisht është hetuar në mënyrë intensive nga Prokuroria Themelore në Pejë, ku në afatin optimal është ngritur aktakuza ndaj tre personave të pandehur, të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘sulmi’ ndaj të moshuarës tani të ndjerë. Për këtë çështje është mbajtur shqyrtimi fillestar, ndërkaq jemi në pritje të thirrjes së gjykatës për të vazhduar shqyrtimi gjyqësor, ku këtë shqyrtim Prokurori i Shtetit do të paraqes provat, do të propozojë dëshmitarë…Ku me deklarimet e tyre dhe me provat që ka Prokurori i Shtetit, do të argumentohet fajësia e kryerjes së kësaj vepre penale ndaj tre personave të pandehur, ku do të bindet edhe trupi gjykues që të njëjtit kanë kryer këtë vepër penale dhe duhet të shpallin fajtor sipas ligjit”, shprehet ai për KP.
Në vendimin e marrjes së licencës së qendrës “Orenda”, ndër të tjera përmenden këto arsye: menaxhmenti ka dështuar në menaxhimin dhe monitorimin e ofrimit të shërbimeve për rezidentët e vendosur në këtë shtëpi, menaxhmenti nuk është kujdesur për zbatimin e plotë të standardeve minimale gjatë ofrimit të shërbimeve brenda kësaj shtëpie, sipas publikimeve në mediat e shkruara dhe elektronike, përveç abuzimit dhe dhunës së ushtruar ndaj rezidentës M.N, infermieret e involvuara në këtë rast, kanë bërë shkelje ligjore në ofrimin e shërbimeve sociale dhe shkelje të Kodit të Etikës për Shërbime Sociale dhe Familjare.