Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili të hënën tha se rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i emisarit, Mirosllav Lajçak, por i Kosovës dhe Serbisë.
Kryeziu ka thënë se mungesa e progresit nuk është për shkak të dyja palëve, por nga Serbia.
Tutje, Kryeziu ka paraqitur një listë të shkeljeve nga Serbia të Marrëveshjes Themelore.
“Është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë. Megjithatë, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve. Këtu është një listë e shkeljeve nga Serbia të Marrëveshjes Themelore, vetëm 2 javë pasi tha PO, në shkurt 2023″, ka shkruar ai në “X”.
Stano ka deklaruar se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që ta lehtësojnë atë dhe t’u ndihmojnë palëve të sillen si evropianë.
Por, ai la fajtorë Kosovën dhe Serbinë për dështimin e dialogut.
“Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, tha ai.
Stano në deklaratën për media tha se rezultatet e deritanishme nuk mund të paraqiten si dështim i emisarit Miroslav Lajçak, pasi siç tha, ai ka bërë më të mirën si përfaqësues i lartë i BE-së, me mbështetjen e 27 vendeve anëtare.
“I dërguari special ishte një instrument i ri dhe specifik gjatë mandatit të këtyre institucioneve. Në të kaluarën nuk ka pasur. Përfaqësuesja e lartë e ka bërë këtë punë vetë, në dy mandatet e kaluara, por kjo ishte një shenjë se sa shumë vëmendje po i kushtonim kësaj çështjeje dhe se sa shumë donim të ndihmojmë, duke caktuar, me vullnetin e 27 shteteve anëtare, një person që specifikisht po merrej me ndihmën e Serbisë e Kosovës që të lëvizin përpara, në baza ditore. Kështu që nuk është e vërtetë që mund të paraqiten rezultatet e deritashme si dështim i zotit Lajçak. Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, tha Stano.