Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë pjesë në Forumin e Pestë të Kryeprokurorëve të Përgjithshëm të Shteteve të Ballkanit, i cili është mbajtur në Antalya të Turqisë.
Në këtë forum, që synon forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë penale, morën pjesë edhe prokurorja Elza Bajrami-Kastrati – anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe Arianit Salihu – Zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjatë forumit, Bajrami-Kastrati prezantoi temën mbi rolin e autoriteteve prokuroriale në luftën kundër migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Eurojust-it, Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve dhe institucioneve të drejtësisë nga vendet e Ballkanit dhe shtete të tjera.
Forumi synon shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet institucioneve prokuroriale, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit./teve1.info/







