Kreditimi Rural i Kosovës ka reaguar lidhur me rastin e mesazheve për pagesën e kredisë së mbetur të Arlinda Zekajt, e cila u vra ditë më parë në Pejë.
Sipas sqarimit të institucionit, njoftimi për vonesën e pagesës, i cili i ishte dërguar familjarit të viktimës që kishte shërbyer si garantues i kredisë prej 9 mijë eurosh, ishte gjeneruar automatikisht nga sistemi elektronik.
KRK ka bërë të ditur se mesazhi nuk ishte dërguar përmes ndonjë veprimi manual dhe as me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj familjes së të ndjerës.
Në reagimin e tij, institucioni ka theksuar se rasti ishte duke u trajtuar nga ana e tyre në momentin kur janë informuar për dërgimin e njoftimit.
Megjithatë, KRK ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke kërkuar falje publike ndaj familjes së Arlinda Zekajt dhe duke shprehur ngushëllime për humbjen e saj.
Po ashtu, institucioni ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë mundësinë e faljes së borxhit të mbetur nga kredia, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të këtij rasti dhe procedurat e brendshme.
Në fund të reagimit, KRK ka ritheksuar përkushtimin për komunikim të përgjegjshëm dhe trajtim me ndjeshmëri e respekt të klientëve dhe familjarëve të tyre.




