Kreu i Policisë së Shqipërisë Skënder Hita në një konferencë për mediat ka thënë se është bërë dokumentim real i akteve të dhunës ndaj institucioneve dhe bizneseve dhe nëse dhuna vazhdon policia do të vijojë me forcën e ligjit.
“Që në momentet e para është bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë Tiranë dhe janë përfituar të gjitha pamjet filmike të personave që kanë kryer akte dhune, janë kapur në flagrancë brenda institucioneve që kanë dëmtuar dhe thyer biznese, edhe persona të tjerë që kanë dëmtuar biznese. Është bërë dokumentim real i veprës penale pavarësisht vendimit që ka gjykata për protestat”, është shprehur Hita, sipas A2 CNN.
Ai ka njoftuar se deri më tani janë 71 efektivë të plagosur, ndërsa policia sipas tij ka vepruar në përputhje me ligjin dhe procedurat.
Hita ka theksuar se kjo protestë e cila sipas tij ka tejkaluar çdo veprim dhune, nuk është organizuar nga studentët.










