Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, teksa ka shprehur optimizëm për vitin 2025.
Ai e cilësoi vitin 2024 si të vështirë, por nënvizoi forcën dhe qëndresën e popullit të Kosovës për të përballuar sfidat.
“Teksa afrohemi drejt vitit 2025, po mirëpresim jo vetëm një vit të ri, por, shpresoj shumë, edhe një kapitull të ri plot mundësi për suksese dhe arritje të reja. Uroj që viti 2025 të jetë viti i zhvillimit—viti kur shndërrojmë shpresën në veprime, idetë në arritje dhe ëndrrat në realitet. Bashkë le ta bëjmë Kosovën një vend ku të rinjtë tanë shohin të ardhmen e tyre dhe ku familjet tona gjejnë mirëqenie e begati,” ka shkruar ai.
Në mesazhin e Vitit të Ri, Krasniqi përmendi edhe krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Sonte, mendjet dhe zemrat tona janë edhe me çlirimtarët tanë në Hagë, me dëshirën e madhe të lirimit të shpejtë të të gjithëve. Besojmë thellësisht që viti 2025, mbi të gjitha, të jetë vit i drejtësisë, i fitoreve dhe i zhvillimit”, ka theksuar Krasniqi.