Analisti politik Dardan Krasniqi ka vlerësuar se strategjia shtetërore për fazën e Apelit në Hagë duhet të bashkojë të gjitha partitë politike në Kosovë, duke shmangur përçarjet dhe përplasjet partiake.
Sipas tij, çështja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tejkalon betejat e zakonshme politike dhe kërkon koordinim të përbashkët institucional.
“Unë besoj që veprimet e fundit, pavarësisht reagimeve apo jo ndaj BE-së, si krijimi i grupit punues dhe hapat e tjerë që janë paralajmëruar, janë në shërbim pozitiv të kësaj pune”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se strategjia e nisur duhet të shërbejë si bazë për bashkëpunimin ndërmjet subjekteve politike, pavarësisht dallimeve të tyre.
“Prandaj, dua të besoj në këtë strategji të nisur, e cila duhet ta bashkojë spektrin politik, sepse nuk kemi të bëjmë me beteja politike ditore, por me një strategji dhe një kauzë që është vetë shteti i Kosovës”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka vlerësuar gjithashtu se formimi i grupit punues për strategjinë e Apelit është një hap i domosdoshëm, duke pasur parasysh zhvillimet që po ndodhin në Hagë.
“Tan imë kemi një strategji e cila është prezantuar dhe është vetëm fillimi. Kjo strategji për mua jo vetëm që është e mirëseardhur, por ka qenë e domosdoshme”, është shprehur ai.
Sipas analistit, zhvillimet në Hagë nuk përbëjnë vetëm një proces teknik dhe ligjor, por kanë edhe dimension politik, çka e bën të rëndësishëm përfaqësimin dhe koordinimin e gjerë politik.
“Sepse ajo çfarë po ndodh në Hagë pas 16 shtatorit është jo vetëm një betejë teknike ligjore, por edhe politike”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje, si parti në pushtet, duhet të jetë pjesë aktive e këtij procesi, duke pasur parasysh rolin e saj në Kuvend dhe në Qeveri./teve1.info/








