Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se humbja në Drenas u ka lënë shije të hidhur.
Ai ka thënë se në këtë komunë u përballen me situatën e njëjtë sikurse para 4 vitesh ku elektorati u nda në dysh.
Krasniqi në një konferencë për media tha se i vije keq për këtë duke shpresuar se mbështetja e qytetarëve të kësaj komune do të vazhdojë për PDK-në në zgjedhjet nacionale.
Na la shije të hidhur humbja në Drenas. Ishte situatë e njëjtë sikurse para 4 viteve ku votuesit tonë u ndan në dysh. Kryetarit të zgjedhur i urojë fitore. Na vjen keq që qytetarët atje u gjenden në këtë pozitë. Shpresojmë që mbështetja e PDK sikurse edhe më herët në zgjedhjet nacionale të vazhdojë”, ka thënë Krasniqi në një konferencë për media.
I pyetur nëse ishte gabim vendimi që nuk kandidua Lladrovci, ai ka thënë se kryesia ka marrë vendime edhe kandidat tjerë që nuk kanë votuar.
“Vendime të tilla kemi marrë për secilin kandidatë dhe pyetja e tillë mundet mu shtua për secilin kandidat që nuk ka fituar”, tha ai.
Krasniqi ka thënë se situatën në Drenas do ta trajtojnë pas përfundimit të procesit.
Ai ka thënë se në zgjedhjet e së dielës asnjë parti nuk arriti objektivat e saj, ndërsa shtoj se do të punojnë për të fituar në komunat ku janë në balotazh.
Krasniqi, theksoi se PDK është e vetmja parti që ka rritje të votave në Kuvendet Komunale, krahasuar me vitin 2021.
“Të dielën, Kosova foli. Dhe mesazhi i qytetarëve ishte i qartë. PDK është modeli më i mirë i qeverisjes lokale në Kosovë. Këto ishin zgjedhjet e dyta lokale me radhë në të cilat Partia Demokratike e Kosovës ka dalë fituese, duke marrë besimin qytetar dhe numrin më të madh të asamblistëve, ndërsa kësaj radhe edhe votën popullore. Kjo është një fitore e qytetarëve, e përgjegjësisë dhe e punës konkrete që PDK ka dëshmuar me kandidatët e saj anembanë Kosovës e veçanërisht në Komunat ku kemi qeverisur. Të dielën kemi marrë rreth 180 mijë vota si parti dhe jemi partia e vetme me rritje të votës nga zgjedhjet e vitit 2021. Por kemi edhe mbi 200 mijë vota për kandidatët tanë për kryetarë, që tregon për mbështetjen e madhe qytetare për kandidatët tanë gjithandej Kosovës. Siç e dini tashmë, në tri komuna, Ferizaj, Skenderaj dhe Han i Elezit, fituam pa balotazh, qartë dhe bindshëm. Ndërkaq, në gjashtë të tjera, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, garojmë për fitore në raundin e dytë.
Krasniqi tha se PDK është kthyer si forcë kryesore politike në kryeqytet, pas më shumë se dy dekadave.
“Kemi marrë rreth 29 mijë vota për kryetar, mbi 10 mijë më shumë se para katër vitesh, ndërsa kemi dalë forca e dytë më e madhe politike, para Vetëvendosjes, në një garë të pabarabartë kundër pushtetit lokal dhe atij qendror. Kjo është një fitore që dëshmon rritje, organizim dhe besim. Tani, do të përqendrohemi në balotazhe. Të përfundojmë punën, me dinjitet dhe me fitore. Dhe ne do ta përmbyllim me sukses këtë mision”, shtoi ai.
Lideri i PDK-së tha se ky rezultat dhe këto fitore janë dëshmi e qëndrueshmërisë, e besimit dhe e vlerave të kësaj partie, të trashëguara nga Thaçi dhe Veseli. /teve1.info/