Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka deklaruar se iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të kishte qenë më efikase dhe më logjike nëse do të ishte ndërmarrë katër deri në pesë vjet më parë.
Kraki i bëri këto deklarata në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, duke komentuar nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, një nismë e tillë do të kishte pasur më shumë kuptim në kohën kur, siç pretendon ai, Specialja kishte devijuar nga objekti fillestar i hetimeve.
“ Iniciativa e PDK-së për ndryshimin e ligjit vjen pas vendimit të Hagës. Një iniciativë e tillë do të kishte qenë ndoshta më efikase dhe më logjike para katër vitesh e gjysmë apo pesë, kur Gjykata e devijoi objektin e hetimeve. Tani mund të shihet që ne po tentojmë të ndikojmë në proces”, ka deklaruar Kraki.
Ai ka thënë se aktualisht ekzistojnë edhe alternativa të tjera që, sipas tij, do të ishin më të dobishme sesa ndryshimi i ligjit për Specialen.
“Ne tani, sipas meje, i kemi disa mundësi. Mundësia më e logjikshme dhe më e dobishme që duhet ta përdorim është që të mobilizohemi me krejt çka mundemi proceduralisht dhe të shkojmë të fitojmë në arenën ku ka ndodhur kjo dhe ku është duke ndodhur, sepse nuk mund të fitohet në një arenë tjetër”, ka thënë ai.
Kraki është ndalur edhe te mënyra se si, sipas tij, është krijuar dhe funksionon mekanizmi i Dhomave të Specializuara.
Ai ka argumentuar se institucionet e Kosovës kanë krijuar një mekanizëm i cili, sipas tij, tashmë ka dalë përtej kontrollit institucional.
“Parimisht, ne duhet të pajtohemi në njëfarë kuadri logjik që, ashtu siç është krijuar Gjykata, ashtu siç është modifikuar Kushtetuta dhe ashtu siç është votuar ajo pako në atë kohë, ia ka mbivendosur Kosovës një mekanizëm i cili po del tash që është më i fuqishëm se çdo institucion, se legjitimiteti që vjen nga Kuvendi i Kosovës dhe se komplet shteti.Ne e kemi krijuar njëfarë mekanizmi që na ka dalë nga kontrolli dhe tash të gjithë jemi spektatorë të pamundësisë për të vepruar konkretisht për ta ndalur”, ka përfunduar Kraki.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale./teve1.info/







