Profesionistë të medieve nga vende të ndryshme të botës u mblodhën të enjten në Prishtinë.
Kjo për të mbajtur Asamblenë e 24 plenare të Rrjetit Mesdhetare të Autoriteteve Rregullatore të Medieve (MNRA)-së.
E këtë vit, kryesimin e MNRA-së e mori Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) duke u bërë kështu nikoqiri e kësaj Asamble e cila do të mbahet me 2-3 tetor.
I pari që mori fjalën ishte presidenti në largim i MNRA-së, Tigran Hakobyan, i cili njëkohësisht mbanë postin e kryetarit të Komisionit për Televizionin dhe Radion e Armenisë.
“Të jem pjesë e kësaj platforme ka qenë një nder për mua dhe një përgjegjësi e madhe… gjatë këtij viti, për fat të keq, ishte një periudhë shumë e shkurtër. Me aktivitetet e mia të punës, u përpoqa të isha i dobishëm në zbatimin e objektivave të platformës sonë. Dhe më lejoni gjithashtu të uroj presidentin e ri të vendit dhe presidentin e ri të MNRI, z. Berisha, për punën e tyre frytdhënëse,Ju e dini se ritmi shpërthyes i zhvillimit në teknologjitë e informacionit po paraqet sfida të reja si për mediat tradicionale, ashtu edhe për ato të reja. Prandaj, kemi shumë punë përpara për t’u përballur me këto sfida”, ka thënë Hakobyan.
Pas tij para të pranishme foli, presidenti i ri i MNRA-së dhe kryetari i KPM-së, Besnik Berisha.
Berisha tha se udhëheqjen e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatorë të Mediave (MNRA) e pranon me përgjegjësi duke pasur parasysh misionin e tij.
“Në botën e informacionit, pa rregulla bazë dhe përgjegjësi, ne nuk kemi liri të shprehjes. Kemi vetëm zhurmë, shtrembërim dhe abuzim. Rregullimi efektiv është i nevojshëm sepse media nuk është një biznes i zakonshëm. Ajo formëson opinionin publik, zgjedhjet dhe madje edhe sigurinë kombëtare. Përqendrimi i pronësisë, shpesh i fshehur pas shtresave të kompanive ose financimit të jashtëm, mund të krijojë monopole të padukshme ndikimi. Fushatat e dezinformimit mund të destabilizojnë shoqëritë më shpejt se çdo armë. Prandaj, një rregullator i fortë dhe i pavarur nuk është luks. Është një domosdoshmëri për të mbijetuar liria dhe demokracia”, është shprehur Berisha.
Mes tjerash kryetari i KPM-së foli edhe për format e ndryshme të manipulimit informativ.
“Poashtu duhet të jemi të vetëdijshëm për rrezikun e ndërhyrjeve dhe manipulimeve të huaj në si dhe për forma të tjera të ndikimit të koordinuar. Disa palë të ndryshmem disa OJQ, interesa të fuqishme ekonomike ose politikanë të caktuar mund të punojnë dhe krijojnë narrativa që duken bindëse edhe shpesh çorientuese. Kjo shpesh përfshin përdorimin selektiv të fakteve, përforcimin e vazhdueshëm dhe dhënien e besueshmërisë ndaj shpërthimeve. Narrativa të tilla mund të ndikojnë në perceptimin publik, të gërryejnë besimin dhe të minojnë pavarësinë e rregullatorëve” , ka thënë tutje Berisha.
Kjo ngjarje e vendos Komisionin e Pavarur të Mediave në qendër të dialogut mesdhetar mbi të ardhmen e rregullimit të mediave, duke ofruar një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dhe partneriteteve mes autoriteteve anëtare të MNRA-së, rrjet i cili bashkon 27 autoritete rregullatorë të mediave nga mbarë rajoni i Mesdheut.
Diskutimet e Asamblesë së 24-të Plenare të MNRA-së do të fokusohen në tema kyçe si mbrojtja e të miturve online, gazetaria e gjelbër, rregullimi i mediave online, inteligjenca artificiale, promovimi i barazisë gjinore në media, forcimi i edukimit medial dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit.