Shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, kishte trazuar Serbinë.
Krerët e këtij shteti kishin lëshuar akuza të rënda karshi ndërkombëtarëve, e në radhë të parë ndaj Amerikës, duke thënë se ajo është fajtore për veprimin e Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri i atëhershëm, Vojisllav Koshtunica kishte thënë se Beogradi e ‘dënon aktin si të paligjshëm” dhe zotohet se nuk do ta njoh kurrë shtetin e ri.
Në një konferencë për shtyp ai e cilësoi Kosovën si një “shtet të rremë” ndërsa pati thënë se emri i presidenti amerikan dhe ata të aleatëve të tij evropianë “do të shkruhen me shkronja të zeza në historinë e Serbisë” për përgjegjësinë e tyre në aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Edhe presidenti Boris Tadiq u kishte thënë bashkëkombasve të tij se shteti serb do të ndërmarrë hapa të përgjegjshëm dhe do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të anuluar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme ndërsa ishte zotuar që “Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.”







