Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka njoftuar se Kosova është gati të lansojë në nëntor platformën kombëtare të identitetit elektronik (e-ID).
Lajmi u bë i ditur gjatë Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të diskutimit me temën “Digital Identity, AI and Proactive Public Services”, ku ministri ka prezantuar progresin e Kosovës në transformimin digjital dhe hapat e ardhshëm drejt modernizimit të administratës publike.
Sipas tij, platforma e re synon të mundësojë identifikim dhe autentikim të sigurt elektronik, nënshkrim elektronik dhe përdorimin e një kulete digjitale, duke lehtësuar qasjen e qytetarëve në shërbimet digjitale.
Jagxhiu bëri të ditur se Kosova tashmë ka krijuar një bazë të rëndësishme të shërbimeve elektronike.
“Platforma eKosova ofron mbi 330 shërbime dhe ka më shumë se 1.2 milion përdorues të regjistruar, ndërsa platforma e interoperabilitetit mundëson shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve publike. Ndërkohë, me zhvillimin e eKosova 2.0, synohet shtimi i 400 shërbimeve të reja dhe integrimi i funksionaliteteve shtesë, përfshirë ato që bazohen në inteligjencën artificiale”, ka deklaruar ai.
Sipas ministrit, transformimi digjital nuk nënkupton vetëm kalimin e shërbimeve në internet, por edhe thjeshtimin e procedurave administrative.
“Përmes shërbimeve të bazuara në ngjarje jetësore, synohet që qytetarët të mos kenë nevojë të drejtohen në disa institucione për të përfunduar procedurat që lidhen me një situatë të caktuar. Qëllimi është krijimi i shërbimeve të integruara, proaktive dhe të personalizuara, të cilat vendosin qytetarin dhe nevojat e tij në qendër të administratës publike.Paralelisht, Kosova po investon në infrastrukturën e qeverisjes së të dhënave, shkëmbimin e sigurt të informacionit dhe krijimin e kushteve për përdorim më të gjerë të inteligjencës artificiale në administratën publike”, ka shtuar ministri.
Ministri Jagxhiu ka theksuar se synimi është që përmes teknologjisë së besueshme, sigurisë kibernetike dhe përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, qeverisja të bëhet më e thjeshtë, më efikase dhe më e përgjegjshme ndaj qytetarëve./teve1.info/







