Ekipi i Kosovës në Esports do të jetë plotësisht gati për ngjarjen e madhe që do të mbahet këtë verë në Prishtinë.
Saktësisht, në muajin korrik do të mbahet Kampionati Evropian i lojërave të famshme elektronike “Counter-Strike” dhe Dota 2”.
Federata Esports Kosova ka insistuar me anë të një postimi të premten se lojtarët e përzgjedhur do të japin më të mirën nga vetja.
“Ekipi ynë legjendar në CS2, i përbërë nga 4 yje të padiskutueshëm të Bad Neës Eagles, të cilët kanë shkruar histori në skenën ndërkombëtare, dhe një nga talentët më të mëdhenj në botë, anëtar aktual i gjigantit NAVI Jr. është gati të përfaqësojë Kosovën në një nga skenat më të mëdha të Esports!”, ka shkruar Federata Esports Kosova.
Evropiani do të mbahet me datat 9-13 Korrik, ndërsa 5 lojtarët që do ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare të Esports, janë: Flatron “juanflatroo” Halimi, Dionis “sinopssyy” Budeci, Genc “gxx” Kolgeci, Sener “SENER1” Mahmuti e Drin “Makazze” Shaqiri.
“Ky formacion nuk është thjesht një ekip, është një thirrje për krenari, guxim dhe fitore. Këtë korrik, jemi epiqendra e Esports në Evropë. Mos e humb rrugëtimin e heronjve tanë në CS2. Nëse je gamer, fans i CS, ose thjesht krenar për ngjyrat e Kosovës, bëhu pjesë e historisë!”, ka përfunduar Federata Esports Kosova.