Një njësi e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të funksionojë për hetimin e krimit dhe korrupsionit.
Marrëveshja është nënshkruar të martën nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani.
“Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Kosovës.
Kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshje e kanë vlerësuar të rëndësishëm duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë.
Nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve. /teve1.info/