Ora shënonte 10:00, por në sallën e Kuvendit nuk u paraqit asnjë deputet.
Ndonëse vazhdimi i seancës konstituive ishte thirrur për këtë orë.
Pas 30 minutash me vonesë gjithçka u bë gati për vazhdimin e seancës konstituive.
Në këtë seancë morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, komuniteteve joshumicë dhe Listës Serbe
Në rend dite ishte vetëm një pikë, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Por, në sallë mungoi Partia Demokratike e Kosovës.
E për mospraninë e PDK-së, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha: “Partitë parlamentare, sipas interpretimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të mbajnë peng konstituimin e parlamentit”.
Pas kësaj, Haxhiu kaloi rendin te LDK-ja për ta votuar kandidatin e saj për nënkryetar, Kujtim Shala.
Deputetët e pranishëm për Shalën votuan me 75 vota për, një kundër dhe katër abstenime.
Kjo bëri që Shala të zgjidhej nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pas kësaj, Lista Serbe vazhdoi me propozimet për nënkryetar.
Por, propozimet e Listës Serbe për tetë herë radhazi u refuzuan nga Vetëvendosje.
E në të nëntën herë, ky grup parlamentar propozoi Tanja Vujoviqin.
Kjo e fundit mori 62 vota për, të cilat ishin të mjaftueshme për zgjedhjen e saj si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa nga komunitetet joshumicë, emri i propozuar ishte Emilia Rexhepi.
Ajo arriti t’i marrë 70 vota për dhe 7 abstenime, duke siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit.
Me të zgjedhurit e nënkryetarëve nga LDK, Lista Serbe dhe komunitete joshumicë, Haxhiu e shpalli të konstituar Kuvendin.
Pas seancës konstituive, në të cilën nuk mori pjesë PDK, Haxhiu ka postuar edhe në “Facebook”. Ajo ka thënë se pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së mbetet ende e paplotësuar, por e rezervuar dhe që i takon PDK-së.
“Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin. Kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për të. Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të”, shkruan PDK.
Pas kësaj, në një tjetër postim, Haxhiu paralajmëroi se ka mandatar Kurtin për formimin e qeverisë së re.



