Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtij institucioni ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë takimit u trajtua bashkëpunimi në zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe progresi i arritur në kuadër të harmonizimit me standardet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës.
Po ashtu, në takim u diskutuan prioritetet institucionale që lidhen me avancimin e reformave demokratike, forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut, në përputhje me parimet e kësaj organizate.
Me këtë rast, Konjufca riafirmoi angazhimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale në funksion të përmbushjes së standardeve evropiane.










