Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshilli i Sigurimit i OKB-së deklaroi se mandati i UNMIK në Kosovë tashmë ka përfunduar dhe se Kombet e Bashkuara duhet të fokusojnë resurset e tyre në rajone të tjera me kriza dhe konflikte.
Ai theksoi se Kosova ka arritur një nivel të qëndrueshëm normaliteti dhe funksionaliteti demokratik, duke shtuar se vendi është i gatshëm të kontribuojë në stabilitet global, përfshirë edhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë si Bordi i Paqes.
“Mandati i UNMIK është kryer dhe që stafi dhe resurset e Kombeve të Bashkuara do të përdoreshin më mirë gjetiu për të trajtuar kriza të tjera e konflikte të tjera. Kosova tashmë është vend demokratik i pavarur dhe sovran që ka arritur normalitetin dhe funksionalitetin, një standard i mjaftueshëm që UNMIK tashmë të largohet. Si rezultat i angazhimit tonë në Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti Trump me partnerë të tjerë, Kosova është e gatshme të kontribuojë në stabilitet edhe në pjesë të tjera të botës siç mund të jetë forca ndërkombëtare për Gazën që është mandatuar nga rezoluta e këtij Këshilli”, tha Konjufca.
Më tej, ai kërkoi që fokusi të zhvendoset nga prania e UNMIK-ut në Kosovë drejt anëtarësimit të vendit në OKB.
“UNMIK të transformohet në një zyre që do të lehtësonte anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
Në fjalën e tij, Konjufca rikujtoi edhe sulmin e Banjskës në vitin 2023, duke theksuar se institucionet e Kosovës, bashkë me Bashkimi Evropian dhe NATO, kanë kërkuar vazhdimisht përgjegjësi për organizatorët.
Ai akuzoi Beogradin për mbështetje ndaj personave të përfshirë në sulm, përfshirë Milan Radoiçiq, duke theksuar se pa llogaridhënie nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve.
Në fund, Konjufca nënvizoi se Kosova ka siguruar njohje të reja dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të OKB-së që të njohin pa vonesë pavarësinë e saj.








