Dialogu Kosovë–Serbi është në gjendje të vështirë, tha zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Ai akuzoi Serbinë se ka shkatërruar gjithçka në këtë proces pas sulmeve terroriste në Banjskë dhe Ibër Lepenc.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, ju e dini që gjithçka që ka ndodh pas marrëveshjes së Brukselit e ka pasur formën e sjelljes së qëllimshme destruktive të Serbisë për t’i rrënuar arritjet e bëra në dialog. Edhe bashkësia ndërkombëtare e ka konsideruar marrëveshjen e Brukselit si një arritje, si një thyerje të bllokadës së deri atëhershme sa i përket ecjes përpara. Kjo për Kosovën, për neve e ka pasur formën e njohjes de-facto nga ana e Serbisë, i keni parasysh klauzolat e marrëveshjes më të rëndësishme, prej pranimit të gjithçkaje që prodhon Kosova në kuptimin e juridiksionit të saj. Serbia i pranon, do të duhej të pranonte sipas kësaj marrëveshjeje, por ju e keni pa lojën e Vuçiqit. Në momentin që u kthye në Serbi, i’a dha goditjen më të madhe kësaj marrëveshjeje. Pas asaj goditjeje i keni parë të gjitha, edhe organizimin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit për shkatërrimin e kanalit të ujit dhe kaosin në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kryediplomati kosovar në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij belg, Maxime Prevot, tha se minimale në këtë proces është kthimi i mirëbesimit.
“Dialogu sot gjendet në një gjendje të vështirë për shkak të kësaj që e kam shpjeguar. Qysh kthehet një hapësirë minimale e mirëbesimit? Është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë të përfundojnë në burg… E dyta, kryeministri e ka shpjeguar: letra e zonjës Bërnabiq ishte katastrofike për mirëbesim. Iu shkruajti 27 vendeve anëtare që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës”, tha ai.
Konjufca u pyet edhe për mungesën e tij në takimin me emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen.
“Sorensenin ndonjëherë e takojmë, ndonjëherë jo. Këto bëhen në mënyrë të planifikuara nga ana e qeverisë. Kësaj radhe e takoi kryeministri”, shtoi Konjufca.
Konjufca në konferencën për media së bashku me homologun e tij belg, foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, për çka shtoi se vendi nuk duhet të kushtëzohet për anëtarësim në këtë institucion me formimin e Asociacionit.
“Çfarë qëndrimi progresiv ka Belgjika. S’ka asnjë kushtëzim. Tha që Kosova jo në të ardhmen, por tash duhet të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës. Sot na ka mbet peng një gjë e vendosur nga një person i cili në mënyrë kogja të palavdishme dha dorëheqje, zotëri Lajçak. Ai na ka qitë në shpinë diçka që neve nuk na takon… Brenda kornizës që është negociuar për anëtarësim në KiE, asociacioni nuk është kriter i anëtarësimit. Mund të jetë në procese të tjera, integrimin në BE, statusin e vendit kandidat, por për Këshillin e Evropës s’ka pasur kushtëzim për asociacionin. Këtë na ka qitë në shpinë Lajçak në mënyrë jomeritore, për mos me thanë të pandershme. A hiqet kjo? Duhet me ndihmu miqtë tanë me u heq kjo. Vetëm një konditë elementare për anëtarësim në KiE ka qenë Manastiri i Deçanit, kjo është kry”, përfundoi ai.







