Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje liderëve botërorë të veprojnë urgjentisht për të luftuar ngrohjen globale, gjatë hapjes së konferencës së OKB-së për klimën, COP31, në Turqi.
“Ne e dimë të vërtetën. Tani duhet të veprojmë mbi të, sepse veprimi për klimën është më shumë se një luftë për një numër apo një termometër. Jemi në luftë për jetën tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, deklaroi Guterres.
Megjithatë, mungesa e liderëve të Kinës, SHBA-së dhe Indisë, tre ndotësit më të mëdhenj në botë, përgjegjës për më shumë se gjysmën e emetimeve globale të dioksidit të karbonit, ka dobësuar përfaqësimin politik në samit.
Guterres theksoi se negociatat duhet të përqendrohen në largimin nga karburantet fosile, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritjen e mbështetjes financiare për vendet më të varfra.
Ndërkohë, presidenti i Brazilit, Luiz da Silva, paralajmëroi se luftërat, inflacioni dhe konfliktet gjeopolitike po e lënë në hije krizën klimatike. Ai premtoi mbrojtjen e Amazonës dhe bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar.
Një raport i publikuar gjatë konferencës paralajmëroi se hendeku mes premtimeve klimatike të shteteve dhe veprimeve konkrete po zgjerohet.
Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu se bota rrezikon të tejkalojë kufirin prej 1.5 gradësh Celsius të ngrohjes globale, të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.
Mungesa e liderëve të ekonomive më të mëdha është kritikuar nga organizatat mjedisore, të cilat kërkojnë angazhim më të madh politik për të frenuar krizën klimatike, shkruan AP.
Në samitin COP31 po marrin pjesë më shumë se 70 liderë dhe zyrtarë të lartë.







