Personeli i aviacionit të Komandës Rajonale të KFOR-it Lindje (RC-E) dhe zjarrfikësit e Kampit Bondsteel kanë zhvilluar një trajnim për reagimin emergjent ndaj incidenteve të avionëve.
Sipas KFOR-it, gjatë trajnimit u simulua një emergjencë e avionëve, me pjesëmarrësit që ushtruan reagimin e koordinuar ndaj situatës.
Stërvitja përfshiu operacione zjarrfikëse, si dhe shpëtimin dhe evakuimin e personelit nga një helikopter UH-60M Black Hawk.
KFOR-i ka bërë me dije se stërvitje të tilla forcojnë koordinimin mes personelit të aviacionit dhe ekipeve të reagimit emergjent, duke ndihmuar në rritjen e gatishmërisë për reagim të shpejtë dhe efektiv në rast të emergjencave ajrore.
Sipas misionit, këto aktivitete kontribuojnë në ruajtjen e gatishmërisë operacionale dhe ndërgjegjësimit situativ të personelit të KFOR-it, si dhe në forcimin e aftësive për përballimin e emergjencave në kuadër të misionit.







