Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, B.B. nga Prishtina dhe E.K. nga Obiliqi, nën dyshimin për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit dyshohen se më 25 shkurt 2026, rreth orës 14:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, në ambientet e KEDS-it, kanë kërkuar 400 euro nga i dëmtuari A.H.
Sipas Prokurorisë, B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe E.K., si ushtrues detyre i koordinatorit për lidhje të reja, dyshohet se i kanë kërkuar paratë me arsyetimin se njehsori elektrik do t’i vendosej brenda një jave në lokalin e tij. Në të kundërtën, atij i ishte thënë se do të duhej të priste pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit.
“Në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400 Euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njehsori elektrik do t’i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit elektrik”, thuhet në njoftim.
Sipas organit të akuzës, shuma e kërkuar dyshohet se do të ndahej ndërmjet katër personave. Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Prokuroria bën të ditur se me këto veprime, në bashkëkryerje, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” nga neni 309, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dy të pandehurit, që nga 25 shkurti 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh.




