Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton se njësia B2 e TC Kosova B është rikthyer me sukses në operim, duke rifilluar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me energji termike për Termokosin, në funksion të ngrohjes së kryeqytetit.
“Pas përfundimit të suksesshëm të sanimeve, procesi i startimit të njësisë ka filluar sot, më 26 tetor 2026, në orën 02:00, ndërsa pas testimeve dhe verifikimeve të nevojshme të pajisjeve dhe sistemeve teknologjike, gjatë orëve të mëngjesit njësia ka rifilluar prodhimin”-ka njoftuar KEK në Facebook.
Me këtë rast, KEK-u shpreh mirënjohje dhe falënderim të veçantë për ekipet të cilët mundësuan sanimin e defektit dhe rikthimin e njësisë në operim në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.
Kujtojmë se kjo njësi është ndërprerë në mënyrë të kontrolluar më 24 tetor si masë parandaluese për të mbrojtur pajisjet nga dëmtimet e mundshme,me ç’rast është ndërprerë ngrohja nga Termokos në kryeqytet.







