Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se është e shqetësuar për shëndetin e politikanit opozitar serb, Nikola Sandulovic, pas pamjeve të publikuara për rrahjen nga BIA serbe.
Ajo ka thënë se parregullsitë në zgjedhjet parlamentare kaluan me shprehje të buta nga Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kearns në një postim në platformën X ka thënë se qasja e butë ndaj Serbisë ka pasoja.
“Tepër të shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e Nikola Sandulovic pas raportimeve se ai ishte brutalizuar nga inteligjenca serbe. Shumë parregullsi të vërejtura në zgjedhjet serbe rezultuan në vetëm shprehjet më të buta të shqetësimit kalimtar nga MB, SHBA dhe BE. Zbutja ka pasoja”, ka shkruar ajo.
Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe, në godinën e BIA-s.
Sandulovic ishte arrestuar të martën në mbrëmje. Ai një ditë më parë ishte për vizitë në Prekaz, ku bëri homazhe në kompleksin e familjes Jashari.
Gravely concerned for safety & health of @Sandulovic_N after reports he was brutalised by Serbian Intelligence.
The many irregularities observed in the Serbian election resulted in only the mildest expressions of passing concern from UK, US & EU.
Appeasement has consequences.
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) January 4, 2024