Nga viti 2010, ndodhet në burgun e sigurisë së lartë në Zabela të Serbisë.
Kjo pasi Milorad Ulemek, u dënua katër herë me nga 40 vite burgim.
Por, çfarë bëri personi i njohur me nofkën “Legija” që e shtyri Gjykatën e Lartë në Beograd, t’i shqiptojë këto dënim ndaj tij?
Me 12 mars të vitit 2003, disa krisma armësh u dëgjuan në hyrjen e pasme të ndërtesës së qeverisë serbe në Beograd.
Shpejt u kuptua se cak i tyre, ishte vet shefi i kësaj qeverie, Zoran Gjingjiq, i cili mbeti i vrarë në vend.
Ndonëse vet nuk ishte atentatori, hetimet zbuluan se urdhrin për vrasjen e ish-kryeministrit serb, e dha Milorad Ulemek.
Kjo u provua edhe në gjykatore, teksa Ulemek u dënua me 40 vite burgim.
E shumë shpejt u kuptua, se ky nuk ishte krimi i parë i këtyre përmasave për të cilën “Legija” ishte fajtori kryesor.
Milorad Ulemek, ishte organizator edhe në rrëmbimin dhe vrasjen e Ivan Stamboliq, ish-presidentit serb dhe njeriut që po e synonte pozitën e Slobodan Millosheviqit.
Por, pavarësisht këtyre dënimeve, për krimet më të rënda në jetën e tij, “Legija” nuk doli kurrë para drejtësisë.
Në fillim të viteve të ’90-ta, Ulemek shërbeu si komandant i njësive paramilitare në Kroaci, të formuara nga krimineli famëkeq, Zheljko Raznatoviq, i njohur si “Arkani”
Të dy këta, “Arkan” e “Legija” krimet e luftës kundër popullatës civile, i vazhduan edhe në luftën e Bosnjës, ku i udhëhoqën aksionet kundër civilëve të pafajshëm, përfshirë atë në Bijelinë.
Ndërkohë, në vitin 1998, Legija e mori përsipër edhe një nga krimet më të mëdha të luftës të shtetit serb.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ai udhëhoqi në terren aksionin kundër lagjes Jashari në Prekazin e Skenderajt.
Madje, për sulmin e 5 marsit të vitit 1998, Ulemek si komandant i Njësisë për Operacione Speciale, e soll bashkë me njësitin e tij nga Beogradi në Prekaz.
E gjitha kjo nën direktivat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Për këtë, dënimi i pestë dhe më i rëndi për kriminelin famëkeq serb, duket se do të shpallet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Por, i gjithë procesi gjyqësor ndaj “Legijas” dhe 34 të tjerëve të akuzuar për këtë rast, do të zhvillohet sipas rregullave të gjykimit në mungesë, meqë Serbia nuk i ekstradon as kriminelët e tillë të luftës për t’u përballë me drejtësinë.



