Avokati Emrush Kastrati e ka vlerësuar si të qëlluar zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës në postin e presidentes së Kosovës, duke thënë se me këtë vendim kryeministri Albin Kurti “e ka shpëtuar Kosovën”.
Kastrati, në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka thënë se përvoja akademike dhe politike e Shiroka Pulës e bëjnë atë një zgjedhje të përshtatshme për këtë pozitë.
“Mendoj që me propozimin dhe me zgjedhjen presidente të Justina Shiroka Pulës, kryeministri Kurti ishte një shpëtim i Kosovës në aspektin juridik dhe në konsolidimin e institucioneve. Shiroka Pula vjen nga pjesa akademike, por ka edhe histori të angazhimit politik si deputete e ministre. Prandaj, për mua, është një zgjedhje e bërë me mençuri të jashtëzakonshme në mbrëmjen e 6 shtatorit dhe një zgjedhje e qëlluar”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka folur edhe për funksionimin e institucioneve pas përfundimit të procesit të konsolidimit institucional.
Sipas Kastrati, procedurat për formimin e institucioneve kanë përfunduar në përputhje me aktet kushtetuese, ndërsa tash prioritet duhet të jetë bashkëpunimi institucional për përmbushjen e objektivave të vendit.
“Unë konsideroj që në mënyrë procedurale ka përfunduar në pajtim me aktet juridike kushtetuese. Tanimë Kosova i ka institucionet e konsoliduara, çka është më kryesorja, sepse qe gati dy vite kemi shkuar në zgjedhje të paarsyeshme, ngase kështu e kanë vlerësuar subjektet politike dhe kemi ardhur në gjendjen që ishim. Kryesorja është që institucionet kryesore të vendit tani të punojnë në realizimin e të gjitha objektivave që e presin Kosovën”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, Shiroka-Pula në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës u betua si presidente, pasi mori 81 vota nga dakordimi midis Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo mori dje zyrtarisht detyrën e presidentes./teve1.info/







