Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Mirditës, pasi u kap duke ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Sipas policisë, gjatë ditëve të fundit ai dyshohet se ka ndezur edhe 5 vatra të tjera, duke shkaktuar përfshirjen nga flakët të rreth 15 hektarëve sipërfaqe.
Arrestimi i shtetasit A. D., banues në Rraja e Valës, u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Piromani 2”, pas një pune 48-orëshe gjurmuese, bazuar në informacionet operative dhe ndjekjen në terren me pajisje dron.
Policia bën me dije se 62-vjeçari, i cili rezulton me precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme, është arrestuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Në momentin e arrestimit, ai sapo kishte ndezur një vatër zjarri. Nga veprimet hetimore është dokumentuar dyshimi se gjatë ditëve të mëparshme kishte ndezur edhe pesë vatra të tjera.
Shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Mirditës, vijojnë ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të 62-vjeçarit dhe verifikimin e përfshirjes së tij në raste të tjera zjarrvënieje në territorin e Bashkisë Mirditë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./Abcnews.al











