Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politik të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka folur për vizitën që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Rusi.
Ajo ka thënë se me Vuçiq kanë pas diskutime për këtë dhe se kanë pozicione të ndryshme.
“Kemi pasur këtë bisedë kohë më parë. Ai ma shpjegoi pozicionin e tij dhe mendoj se kemi opinione të ndryshme në lidhje me atë”, ka thënë Kallas e pyetur nga Tëvë1.
Ajo tha se ka pasur takime edhe me liderë të partive opozitare, të cilët tha se i ka nxitur të formojnë institucionet e reja të Kosovës.
“Po, kam pasur takime me liderë të ndryshëm të partive opozitare, dhe i nxit ata të formojnë qeverinë. Kemi një dritare të shkurtër mundësish të lëvizim në këtë proces që është i dobishëm për njerëzit në Kosovë dhe Serbi”, u shpreh ajo.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha se është në interesin e dy palëve që procesi i normalizimit të vazhdojë.
“Ne kemi një përfaqësues special të ri dhe ne i kemi dëgjuar të dy palët dhe është në interes të dy palëve që ky normalizim të ndodh. Zgjerimi i BE-së ka ngecur në këtë çështje dhe ka shumë gjëra që njerëzit në Kosove dhe Serbi mund të përfitojnë nëse kemi normalizim”, tha Kallas.
Shefja e BE-së po qëndron për vizitë në Kosovë. Ajo do të ketë një darkë pune me kryeministrinë në detyrë Albin Kurti.