Ish-sekretari, i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Irfan Lipovica, është paraqitur sërish në Prokurorinë Speciale për intervistim.
Ai ishte paraqitur në Prokurori edhe para dy ditësh, derisa është një nga tre të dyshuarit në rastin e rezervave shtetërore, së bashku me afaristin Ridvan Muharremi dhe zyrtarin Hafiz Gara.
Para Lipovicës, lidhur me këtë rast, të enjten në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në cilësinë e të pandehurës është paraqitur edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Pas daljes nga Prokuroria Speciale, ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar lidhur me hetimet për aferën e rezervave shtetërore, duke akuzuar Prokurorinë për shkelje ligjore në marrjen e dokumenteve të klasifikuara.
Në një deklaratë për media, Hajdari tha se “Prokuroria Speciale nuk ka pasur të drejtë të marrë dokumente sekrete”, duke shtuar se si ministër ka siguruar që informacioni të trajtohet sipas ligjit për mbrojtjen e informacionit dhe vetëm personat me autorizim të AKI-së mund të kenë qasje në to.
“Sot isha e ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistë. Bëhet fjalë për kontraktimin e rezervës shtetërore, një proces jetik dhe të ndjeshëm. Ministria e Tregtisë ka bërë blerjen në kohën kur ishim të pambrojtur, në shkurt dhe mars 2022. Pyetja është: a është procesi ligjor dhe si hyri Prokuroria Speciale për të marrë dokumente të klasifikuara? Asnjë person nuk mund të ketë qasje pa procedura në AKI. Ne si ministëri kemi klasifikuar dokumentet sipas ligjit. Prokuroria bëri gabim,” tha Hajdari.
Hajdari akuzon Prokurorinë Speciale për shkelje ligjore në hetimet e rezervës shtetërore