Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka sjellur në gjykatoren e Hagës një ish-rezervist të ushtrisë britanike që të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Douglas Young gjatë ditës së parë të dëshmisë së tij ka folur për bashkëpunimin e tij me UÇK-në lidhur me personat që sipas tij ishin ndaluar ndërsa ka deklaruar se organizmi i UÇK-së nuk mund të krahasohej “me një ushtri moderne që kontrollon territorin e saj”.
Prokurorja Deborah Mayer ka lexuar një përmbledhje të deklaratës së ish-oficerit britanik, që është dëshmitari i 25-të i ZPS-së.
“Ka shërbyer si nënkolonel rezervist i ushtrisë britanike dhe është dislokuar si pjesë e misionit të vëzhguesve diplomatik dhe si pjesë e misionit të OSBE-së, në vitin 1998-1999. Është larguar nga Kosova në mars të vitit 1999 para se të fillonte fushata bombarduese e NATO-s dhe u kthye duke shërbyer në radhët e KFOR-it nga 2001 deri në prill 2002. Ka marrë pjesë për krijimin dhe drejtimin e qendrës koordinuese numër 1 dhe ka shërbyer i zëvendës koordinues me fushë përgjegjësie me Rahovecin dhe Malishevën dhe i ka raportuar qendrës rajonale 1 që ishte me seli në Prishtinë. Ka bashkëpunuar me UÇK-në lidhur me personat e zhdukur dhe të rrëmbyer.. Ka bashkëpunuar me UÇK-në për të gjetur se ku ndodheshin këta persona të rrëmbyer nga UÇK dhe për të siguruare lirimin e tyre, në një rast të tillë u përpoq të kërkonte lirimin e një personi të rrëmbyer Amir Xhafiqni, ditën e ndaluar nga UÇK, dhe ka pasur një numër shkëmbimesh atë ditëm e zyrtarët e UÇK-së”, ka thënë prokurorja.
Derisa është intervistuar nga prokuroja Meyer, dëshmitari ka folur rreth një raporti të 24 nëntorit të vitit 1998 dhe një personi që sipas tij mbahej i ndaluar.
Për të mësuar vendndodhjen e këtij personi, Young ka thënë se kishte takuar komandant Drinin.
“Komandant Drini ma bëri shumë të qartë mua personalisht se sipas atij ai nuk kishte dijeni, nuk kishte ditur fare për rrëmbimin dhe që rrëmbimi nuk ishte bërë mbi bazën e urdhrave të tij. Ai arriti shumë shpejtë së bashku me drejtorin tonë rajonal pasi unë i thash atij se cilat ishin dyshimet tona sa i takon përgjegjësie lidhur me rrëmbimin e personit në fjalë”, ka thënë dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, para se të takonte Drinin, ai kishte biseduar me komandantin e brigadës 124.
“Biseda me Skënderin ndodhi përpara se të mbërrinte Drini, Drini erdhi vetëm si rezultat i raportimit që i bëra unë Skënderit lidhur me atë çfarë kishte ndodhur. Skenderi fillimisht më tha mua se ai dhe me sa dinte ai, UÇK nuk ishte e përfshirë në zhdukjen në zotit Xhafiqi. Megjithatë, gjatë bisedës, për shkak të diçkaje që tha Skënderi, unë e kuptova që ai duhej të ishte i përfshirë dhe kjo pastaj më çoi mua që ta raportoja këtë zhvillim në shtabin tonë, në selinë tonë kryesore në Prizren, përmes radiolidhjes”, ka thënë dëshmitari.
Në kërkim të këtij personi, dëshmitari ka thënë se ka zhvilluar takim edhe me Fatmir Limaj.
Pas kësaj një pjesë e pyetjeve të prokurores kanë vazhduar në seancë private ndërsa në seancë të hapur dëshmitari filloi të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Geoffrey Roberts.
Ai e ka pyetur rreth një deklarate që dëshmitari i kishte dhënë ZPS-së ku thuhej se UÇK ishte “e organizuar mirë”.
Young ka thënë se kjo është e dalë nga konteksti meqë sipas tij organizimi i UÇK-së nuk mund të krahasohej me një ushtri moderne e cila e kontrollon territorin e saj.
“E keni nxjerrë nga konteksti kur keni thënë shumë e organizuar, nuk them që nuk e kam përdorur atë term, atë frazë, por organizmi i tyre nuk mund të krahasohet për shembull me një ushtri moderne e cila kontrollon territorin e saj. Kjo është pjesë e kontekstit të një organizate ushtarake e cila ishte në zhvillim e sipër nga njëra anë dhe ndryshim e sipër nga ana e tjetër”, ka thënë dëshmitari.
Douglas Young do të dalë në gjykatore edhe të enjten për t’u përgjigjur në pyetjet e avokatëve mbrojtjes.
Dëshminë e tij e kanë dëgjuar në sallën e gjyqit katër ish-krerët e UÇK-së, përfshirë edhe Jakup Krasniqin i cili merr pjesë në seanca kryesisht përmes video-lidhjes.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp