Ditë më parë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq zgjodhi televizionin shtetëror serb për të dhënë një deklaratë për Kosovën.
Vuçiq tha se “gjërat në botë po ndryshojnë, dhe se Serbia do të fitojë sërish ndaj Kosovës”, duke mos treguar më shumë se çfarë do të thotë kjo deklaratë.
E këtë deklaratë të tij, po e sheh më shumë për përdorim të brendshëm, ish-deputeti serb, Dragan Sormaz, i cili ka qenë pjesë e partisë së Vuçiq.
“Analfabet politik, që e dëshmon çdo ditë. E atë që e thotë për Kosovën, është e rëndësishme çfarë punohet, dhe ju e shihni se ai nuk po bën gjë. Shihet se Kosova që nga Banjska e këndej e ka vendosur shtetin në veri të Kosovës, ku më parë nuk e ka pasur, e tash e ka në tërësi pushtetin. Kush është meritor për këtë? Dialogu në Bruksel, e nga ana e Serbisë, më së shumti meritor Vuçiq. Këto intervista të tija janë për përdorim të brendshëm, për të ruajtur votuesin e fortë të tij, sepse nuk mund të rrit votuesit, sepse numri i votuesve të tij vazhdimisht po bie nga rrëzimi i platformës së trenit, nga protestat e studentëve e kështu me radhë”, tha Sormaz.
I pyetur për punësimin e Aleksandër Vulin në një organizatë të inteligjencës ruse me seli në Beograd, Sormaz thotë se kjo do të përdoret për propagandë kundër BE-së dhe NATO-së.
“Nëse ka Vulini gisht në media, të vazhdojë helmimi i qytetarëve tonë dhe me propagandën pro-ruse, gënjeshtare, humbëse, që mban Serbinë larg nga botës euro-atlantike, BE-së, dhe NATO-s. Është organizatë që formohet në Moskë, me sa e kuptoj, por do të ketë fushëveprimin e saj në Serbi. Çka na duhet një shoqëri historike ruse në Serbi? Nuk kemi asnjë kontakt me ta, jemi mijëra kilometra larg Rusisë. Më mirë le të jetë shoqëria historike shqiptare në Beograd dhe ajo serbe në Tiranë, të mësojmë nga njëri-tjetri, e jo kjo marrëzia ruse”, tha ai.
Por, sipas ish-deputetit serb në Serbi, kjo organizatë nuk do të ketë ndikim në Kosovë.
“Mendoj se nuk do të ketë efekt në Kosovë e as në serbët në Kosovë, janë të pakët. Më shumë serbë jetojnë në qytetin tim në Smederevë, se sa që jetojnë në Kosovë. Ajo do të jetë pjesë e të them përforcimit të narratives ortodokse në atë që Vulini e quan ‘Bota Serbe’. Këtë përrallë të tij me të do ta tregojë Dodiku në Republika Serbe, Stefaniç, dhe njerëzit e tij në Mal të Zi, por nuk besoj se do të ketë efekt në Kosovë dhe në veri të Kosovës”, tha Sormaz.
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini thotë se deklaratat e Vuçiqit, i takojnë konceptit hegjemonist.
“Natyrisht që është edhe për konsum të brendshëm, por Serbia me gjithë atë mbetet besnike e konceptit hegjemonist dhe mbetet vendi më turbullues në Ballkan këtu e një shekull më shumë. Është problemi që Perëndimi e ka lënë në gjysmë sepse unë mendoj se pas marrëveshjes të Kumanovës, ushtria serbe Partia Socialiste, është dashtë në principe dhe modelin gjerman të shpallën jashtë ligjit”, Ukshini.
Ukshini shtoi se këto deklarata të presidentit serb, janë në vazhdën e asaj për të mbajtur situatën e tensionuar në katër komunat veriore.