Misioni monitorues i Bashkimit Evropian, EULEX e vlerëson të qetë, por të brishtë situatën në veri të vendit.
Shefja e zyrës për media dhe publikim në EULEX, Nicolle Miller, kur ka folur për brishtësinë e kësaj situata ka përmendur mbylljen e strukturave paralel në veri, ku ka thënë se ato mund të ndikojnë në keqësimin e situatës.
Në një intervistë për Tëvë1, ajo ka thënë se rruga e duhur për mbylljen e tyre është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Miller ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku ka thënë se është e rëndësishme që fajtorët të sillen para drejtësisë.
Tëvë1: Zonja Miller,d ua të fillojmë intervistën me juve me disa aksione që janë ndërmarrë në komunat veriore nga institucionet e Republikës së Kosovës, për mbylljen e strukturave paralele serbe. Si i vlerësoni këto aksione në të cilat edhe EULEX-i ka qenë i përfshirë?
Miller : Së pari, faleminderit për pyetjen. Më lejoni të filloj duke sqaruar mandatin tonë dhe si operojmë ne në veri, sepse ndërlidhet me këtë intervistë. Nën mandatin aktual EULEX-i ka mandat të përcjell monitorim të fuqishëm sistematik e tematik të rasteve të përzgjedhura nëpër tërë zinxhirin e drejtësisë penale. Kjo përfshinë policinë. Pse e bëjmë këtë? Qëllimi i këtij monitorimi të fuqishëm është të vlerësojë nëse të gjitha institucionet kosovare u përmbahen obligimeve ndaj të drejtave njerëzore. Kjo është përmbledhja. E përmendët që ne kemi qenë të përfshirë në këto. EULEX-i nuk përfshihet në operacionet që ndodhin në veri. Ne jemi aty, në disa prej tyre, jo të gjitha prej tyre, në kapacitetin tonë si monitorues. Dhe nëse gjatë monitorimit tonë ne vërejmë ndonjë mangësi, çfarë bëjmë ne? I adresojmë tek autoritetet në fjalë. Tash, kur përmendët strukturat paralele. BE-ja ka deklaruar në mënyra të shumta, që çdo gjë në lidhje me strukturat paralele duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo duhet të mbahet në mend, është shumë e rëndësishme.
Tëvë1: Kur flasim për sigurinë në katër komunat veriore, duket se kemi një situatë të normalitetit. Por si vlerësohet kjo nga ana e EULEX-it?
Miller: Në përgjithësi, ashtu siç e vlerësojmë ne, situata në veri është stabile dhe e qetë. Por është e brishtë, ashtu siç e kemi vërejtur viteve të fundit. Prandaj, me qëllim që ne, si EULEX të ruajmë sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë si prioritet ne mbesim vigjilent dhe bëjmë aktivitetet monitoruese. Do të doja të futem pak edhe në mënyrën si e bëjmë këtë, sepse EULEX-i nuk operon në vakum. Ne jemi pjesë e mekanizmit të sigurisë në Kosovë që përbëhet prej tri shtyllave. Çfarë do të thotë kjo? Policia e Kosovës është ndihmësja e parë e sigurisë në Kosovë. EULEX-i është i dyti, dhe KFOR-i është i treti. Këtë nënkuptoj kur them nuk operojmë në vakum. EULEX-i qëndron gati për të intervenuar nëse i kërkohet dhe nëse është nevoja me qëllim që të sigurohet që rendi publik të ruhet, por, siç e thashë më parë, siguria e të gjithë komuniteteve mbetet prioriteti ynë.
Tëvë1: Së fundmi kemi parë shtim të trupave të EUFOR-it. Çfarë janë arsyet për shtimin e xhandarmërisë?
Miller: Më lejoni të filloj me një korrigjim të vogël. Ata nuk janë EUFOR, janë EUROGENDFOR. EUROGENDFOR është për Forca e Xhandarmërisë Evropiane. Shkurtesa është EUROGENDFOR. 53 Pak histori për këtë. Në shtator të këtij viti, pra muajin e kaluar, ne si EULEX kemi pranuar vendosjen e asaj që njihet si RFPU. Ta sqaroj çka është RFPU. Është Njësia Rezervë e Formuar e Policisë. Si mund ta dini, ne kemi Njësinë e Formuar të Policisë. Ata përbëhen nga 105 oficerë polakë, dhe patrullojnë 24 orë në ditë, kryesisht në veri. Me sjelljen e RFPU ne tash kemi dyfishuar aftësitë tona për patrullim. Pse janë ata këtu? Ta sqaroj pak. Ata erdhën mu para zgjedhjeve lokale. Më 12 tetor. Ata erdhën nga EUROGENDFOR. Çka është EUROGENDFOR? Janë forcë xhandarmërie, selinë kryesore e kanë në Viçencë të Italisë, dhe me anë të shteteve anëtare, ata janë në gjendje të kontribuojnë me oficerë, oficerë të zellshëm, në fakt, te misionet si ky i EULEX-it. Kësaj radhe përbërja e RFPU-së është me oficerë nga Franca, Italia, Holanda, Polonia, dhe Portugalia. Pra është goxha përzierje, dhe është vendosja e gjashtë e RFPU-së në vitet e fundit. Nuk është diçka risi, i kemi pasur edhe më herët këtë vit, kur i kishim zgjedhjet e përgjithshme në muajin shkurt.”
Tëvë1: A do të thotë që është shtuar numri i xhandarmërisë?
Miller: Jo, ne kemi FPU-në dhe kur kemi pastaj RFPU-në, sigurisht numri rritet, por për një periudhë afatshkurtër, sepse RFPU nuk janë këtu për kohë të gjatë. Dhe çfarë bën RFPU? Ata ndihmojnë FPU-në, prandaj quhen Njësia e Formuar Rezervë e Policisë. Detyrat e FPU-së zbatohen normalisht. Pra kemi vlerësimin e situatës së sigurisë, etj, dhe bëjnë patrullim 24 orë në ditë. RFPU qëndron gati për t’i asistuar nëse kërkohet apo ju duhen. Vetëm për t’u siguruar që situata e sigurisë të mbetet si është. Gjithashtu, është mesazh i qartë që me vendosjen e FPU-së dhe RFPU-së, EULEX-i tregon që nuk jemi këtu vetëm për të këshilluar e monitoruar, por jemi gati edhe për intervenim, po u kërkua dhe qe e nevojshme.”
Tëvë1: Gjatë patrullimeve në katër komunat veriore, a është vërejtur nëse ka tendencë për destabilizim a të ngjashme?
Miller: Siç e thashë më herët, nga çfarë kemi parë situata në veri mbetet e qetë dhe stabile. Por është e brishtë, e thyeshme.
Tëvë1: Çfarë situatë është e brishtë, kur thoni kështu?
Miller: Mund t’ju jap një shembull. Rasti i mbylljes së strukturave paralele, sidomos për arsimim dhe shëndetësi, që mund të shpijnë te destabilizimi i situatës në veri. Siç e kemi thënë më herët, mbyllja e strukturave paralele është e rëndësishme të adresohet në formën e duhur, dhe ky është dialogu i lehtësuar nga BE-ja.
Tëvë1: Sa është i gatshëm EULEX-i të reagojë në rast të përballjes me tensione të tilla?
Miller: Ne jemi shumë të gatshëm, ashtu siç bëjmë patrullimet 24 orë në ditë. Ne jemi gati të asistojmë. 99 Gjithashtu dua të përmend, siç e thashë më herët, ne nuk operojmë në vakum. Pra, EULEX-i nuk mund të vendosë të intervenojë në vete. E kemi sistemin përgjegjës të sigurisë prej tri shtyllave, siç e sqarova më herët. E kemi Policinë e Kosovës, EULEX-in, dhe KFOR-in. Nuk operojmë në vakum, operojmë me partnerët tanë, koordinohemi me partnerët tanë, kjo është shumë e rëndësishme, dhe koordinimin në mes neve tria, është jo vetëm i nevojshëm, por i shkëlqyeshëm. “
Tëvë1: Si është bashkëpunimi me institucionet kosovare, Policinë e Kosovës, e të ngjashme?
Miller: I shkëlqyeshëm. Është i shkëlqyeshëm. Përndryshe ky sistem prej tri shtyllave nuk do të funksiononte. Po të vepronte secili me agjendën e tyre, s’do të funksiononte. Por ne jemi këtu për sigurinë e të gjitha komuniteteve, ky mbetet prioriteti ynë. Por mekanizmi prej tri shtyllave për sigurinë mbetet vital.
Tëvë1: Për fund, e kemi sulmin në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, ku rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë. Por personi përgjegjës për sulmin, Milan Radoiçiç është i lirë në Serbi. A konsiderohet ky si rrezik për shfaqje të tensioneve, dhe si e vlerësoni faktin që Serbia nuk po i sjellë para drejtësisë personat që janë përmendur në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.?
Miller: Më lejoni të them se ne ndiejmë keqardhje për humbjen e çdo jete të çdo oficeri në krye të detyrës. Kjo është thelbësore. Siç e dini, është një rast që po vazhdon në lidhje me rastin e Banjskës. Pra, në këtë moment, ne do të lejojmë drejtësinë të merret me këtë, por çfarë është e rëndësishme për neve është që të gjithë fajtorët, jo vetëm për sulmin në Banjskë, por për çfarëdo gjëje tjetër që ka ndodhur, të sillen para drejtësisë. Kjo ka shumë rëndësi për ne. Të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari, jo vetëm për Banjskën. Por, marrë parasysh që ka proces gjyqësor, ne do t’i lëmë autoritetet të kryejnë punën dhe drejtësisë të thotë fjalën e saj.