Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në konsultimet “formale” për Projektligjin Nr. 10/L-019 për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi i konsultimeve.
Në një njoftim për media, IKD theksoi se ky proces po zhvillohet me nguti dhe pa ofruar kohën e nevojshme për një diskutim të plotë dhe të merituar, duke rritur dyshimet se qëllimi kryesor është miratimi i shpejtë i Projektligjit dhe jo zhvillimi i një konsultimi të thelluar.
“Po ashtu, zhvillimi i këtij dëgjimi publik në rrethana të tilla, kur vendi ndodhet vetëm pak ditë para një afati kur pritet të shpërndahet Kuvendi, shton përshtypjen se qëllimi kryesor nuk është zhvillimi i konsultimeve meritore dhe gjithëpërfshirëse, por procedimi sa më i shpejtë i Projektligjit,” thuhet në komunikatën e IKD-së.
Instituti ka theksuar se kjo metodë e shpejtuar e organizimit të konsultimeve e bën të pamundur pjesëmarrjen substanciale të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë relevantë, çka e bën këtë proces të pavlerë.
“Ftesa për pjesëmarrje në dëgjimin publik është publikuar vetëm më pak se 24 orë përpara takimit. Një qasje e tillë nuk mund të konsiderohet serioze dhe as në përputhje me standardet minimale të një konsultimi ku kërkohet kontribut përmbajtësor dhe profesional për një projektligj kaq të ndjeshëm.”
IKD vuri në dukje se ftesa për dëgjimin publik ka shpërfaqur mangësi të konsiderueshme, pasi afati i dhënë për pjesëmarrje është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila kërkon që ftesa të shpallet së paku pesë ditë përpara takimit.
“Në rastin konkret, afati i përcaktuar për thirrjen e dëgjimit publik është në kundërshtim me Nenin 38, paragrafi 7 të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se ftesa për seancë dëgjimore duhet të shpallet në ueb-faqen e Kuvendit të paktën pesë (5) ditë para takimit,” thekson IKD.
Për më tepër, IKD ka theksuar se ky projektligj është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese dhe se Qeveria ka dështuar të zhvillojë konsultime të plota dhe të rregullta publike para se të sjellë projektligjin në Kuvend.
“Ky Projektligj është rrëzuar dy herë në Gjykatën Kushtetuese, një herë për meritat e tij dhe një herë për procedurën e ndjekur. Derisa trajtohet për herë të tretë në Kuvend, në dy (2) raste Qeveria nuk ka zhvilluar fare konsultime publike derisa në rastin tjetër ka shkurtuar në mënyrë arbitrare afatin e konsultimeve publike,” thekson njoftimi i IKD-së.
Instituti e konsideron të domosdoshëm që çdo proces legjislativ të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe serioze, dhe kërkon që për këtë Projektligj të ofrohet kohë e mjaftueshme për një diskutim të vërtetë dhe të merituar.
“IKD vlerëson se pjesëmarrja në këtë dëgjim publik do të nënkuptonte vetëm validim të një tendence për procedim të përshpejtuar, jo adekuat dhe përfshirje vetëm formale në konsultime publike,” ka përfunduar njoftimi i IKD-së.
Sipas IKD-së, ky proces nuk i shërben interesit publik dhe do të dëmtonte cilësinë e legjislacionit që po shqyrtohet. Ata gjithashtu kanë riafirmuar angazhimin për të kontribuar vetëm në procese të rregullta, serioze dhe gjithëpërfshirëse të konsultimit publik.







