Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë njofton se Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë për suspendimin nga puna të dy edukatoreve dhe kuzhinieres së çerdhes “Gëzimi ynë” të kësaj komune.
Kështu ka thënë, zëdhënësja e MASHT, Edona Kutleshi-Maliqaj për teve1.info
“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, tha ajo.
Kutleshi-Maliqaj tutje theksoi se përmes vendimit, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë qe të merren masa edhe ndaj drejtoreshes së çerdhes e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin.
“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, tha ajo.
Ndryshe, sot Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, lidhur me rastin e keqtrajtimit të 3-vjeçarit në kopshtin “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë.
Tri punëtorët janë intervistuar nga Policia, ku avokati i njërës ka thënë se rasti është ekzagjeruar.
Ndërsa, avokati i familjes Geci ka thënë se edukatoret kanë kryer së paku tri vepra penale.