Indeksi Global i Paqes (GPI) 2025, i publikuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP), raporton një përkeqësim të vazhdueshëm të paqes globale mes një rritjeje të ndjeshme të konflikteve të dhunshme.
Sipas GPI-së, niveli mesatar i paqes kombëtare ra me 0.36% në vitin 2025, duke shënuar vitin e gjashtë radhazi të përkeqësimit global. Indeksi gjithashtu raportoi se rezultatet e vendeve janë përkeqësuar në 13 nga 17 vitet e fundit dhe nuk kanë treguar përmirësim të përgjithshëm në asnjë vit që nga viti 2013.
GPI vlerëson 163 vende, që mbulojnë 99.7% të popullsisë globale, duke përdorur 23 tregues cilësorë dhe sasiorë të burimuar nga grupe të dhënash ndërkombëtare me reputacion të mirë, tha IEP.
Shqipëria renditet në pozitën pesëdhjetedy, Kosova renditet e gjashtëdhjetetreta në nivel global.
Në nivel të Evropës Qendrore dhe Perëndimor, Kosova renditet e tridhjeta, ndërsa Shqipëria e njëzeteteta. Mali i Zi renditet i 23-të, Maqedonia e Veriut e 27-ta, Bosnja e Hercegovina e 29-ta, Serbia 31. Është interesante se Qiproja renditet e parafundit, 32 dhe Franca e fundit, 33. E para në nivel Evrope renditet Islanda, pasuar nga Irlanda, Austria Zvicra, Portugalia.
Në nivel global, më së miri në rajon renditet Mali i Zi, 34, pasuar nga Maqedonia e Veriut 51. Shqipëria mbetet njësoj sikurse vitin e kaluar, pozita 52, Bosnja e Hercegovina 59, Kosova 63, Serbia 64.
Në renditjen e vendeve të GPI-së, Islanda ruajti pozicionin e saj si vendi më paqësor në botë për të 17-tin vit radhazi. Irlanda pasoi në vendin e dytë, e mbështetur nga nivelet e ulëta të militarizimit dhe siguria e fortë shoqërore. Zelanda e Re u ngjit në vendin e tretë, e mbështetur nga ligjet e rrepta për armët, besimi i lartë shoqëror dhe një ndjenjë e fortë komuniteti.
Austria u rendit e katërta, duke vazhduar të përfitojë nga shërbimet gjithëpërfshirëse sociale dhe institucionet publike që funksionojnë mirë. Zvicra u rendit e pesta, ndërsa Singapori, vendi më paqësor në Azi, u rendit i gjashti në nivel global.
Në fund të listës në nivel global janë Ukraina dhe Rusia, kryesisht për shkak të agresionit ushtarak të Moskës të nisur në shkallë të gjerë veprimi në shkurt 2022, raporton KosovaPress.
Indeksi mat gjendjen e paqes në tre fusha kryesore: nivelin e sigurisë shoqërore, shkallën e konflikteve të vazhdueshme vendase dhe ndërkombëtare dhe shkallën e militarizimit.
GPI gjithashtu deklaroi se bota po përjeton një rritje të ndjeshme të konfliktit të dhunshëm, me 59 konflikte shtetërore të regjistruara në vitin 2023, që është numri më i lartë i parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.







