Eksperti i sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilir Kulla në emisionin “Matrix” në Tëvë1, të realizuar dy javë më parë ka vlerësuar se situata në Venezuelë përbën një nga zhvillimet më të ndjeshme gjeopolitike aktualisht, me ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Evropën dhe rendin global.
Sipas Kullës, Venezuela ka një lidhje të fortë strategjike me Evropën dhe ndodhet në një pozicion kyç gjeografik, në pjesën e fundit të Gjirit të Meksikës, të cilin Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur “Gjiri i Amerikës”.
Ai thekson se nga pikëpamja territoriale, Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, madje më shumë se Arabia Saudite.
Kulla nënvizon se kriza politike në Venezuelë është një konflikt i zgjatur prej vitesh, ndërsa SHBA-të kanë rritur ndjeshëm praninë ushtarake në rajon.
“Amerika ka një numër të madh anijesh ushtarake që kontrollojnë hapësirën ajrore dhe detare të Venezuelës, duke ndikuar edhe në fluturimet civile. Praktikisht, kemi të bëjmë me një lloj bllokade detare ndaj një shteti që nuk është i vogël,” tha ai.
Sipas tij, popullsia venezueliane përballet me kushte të vështira jetese, ndërsa situata shfrytëzohet nga akterë të jashtëm për interesa strategjike.
Ai thekson gjithashtu se Venezuela sot është një aleate e ngushtë e Rusisë, Kinës dhe Iranit, duke u rreshtuar qartë në koalicionin anti-amerikan.
“Venezuela ka një lidhje të fortë me Evropën, duke qenë se Venezuela është pjesa e fundit e gjirit të Meksikës që presidenti Trump e ka quajtur gjiri i Amerikës që nga pikëpamja territorial është një vend që ka më shumë naftë në tokë se Arabia Saudite. Vazhdimi i një lufte politike që tashmë ka vite që ka nisur. Amerika ka një numër të pafund anijesh ushtarake, të cilat ndalojnë hapësirën ajrore të Venezuelës të lidhur qoftë edhe me fluturime civile, pra ka një lloj bllogazhi detar ndaj një shteti Venezuelës i cili nuk është një shtet i vogël, njerëzit në Venezuelë nuk është që jetojnë mirë, amerikanët po mundohen ta shfrytëzojnë edhe këtë pjesë. Venezuela sot është një aleate e Rusisë, Kinës, Iranit dhe të gjithë atij koalicionit anti-amerikan, Venezuela është një fuqi ushtarake, por është partner numër një i Rusisë, është një situatë shumë e rëndësishme sa është e rëndësishme ajo që ndodh në Lindjen e Mesme, aq e rëndësishme do të jetë edhe Venezuela”, deklaroi Kulla.
Ndryshe, të shtunën ShBA kreu sulm në disa baza në kryeqytetin Karakas të Venezuelës. Operacioni rezultoi me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe gruas së tij./teve1.info/









