Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, është pritur sot në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë nga ambasadori Petrit Malaj.
Sipas njoftimit të IKKL-së, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë për zgjerimin e tij përmes aktiviteteve të përbashkëta arsimore e kulturore, si dhe nismave për dokumentimin dhe ruajtjen e dëshmive nga lufta në Kosovë.
Me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë, IKKL-ja ka vendosur kontakte dhe ka zhvilluar bashkëpunim me disa institucione në Shqipëri, përfshirë Presidencën, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bibliotekën Kombëtare.
IKKL-ja ka falënderuar ambasadorin Malaj dhe stafin e Ambasadës për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për punën e Institutit dhe ruajtjen e dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.










