Policia e Kosovës ka njoftuar se më 29 janar, rreth orës 12:15, në fshatin Gjonaj të Prizrenit, pranë një shkolle, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një automjet i tipit VW Golf.
Në njoftim thuhet se, patrulla policore u drejtua menjëherë në vendngjarje dhe identifikoi automjetin e dyshuar, duke i dhënë sinjal për t’u ndalur.
I njëjti nuk iu bind urdhrit dhe u largua me shpejtësi, duke u ndjekur nga patrulla në vendngjarje dhe më pas edhe nga forca të tjera policore.
Pas një ndjekjeje, i dyshuari nuk u gjet fillimisht, por policia bastisi shtëpinë e tij. Më vonë, H.B., 21 vjeçar, u arrestua.
Gjatë arrestimit u sekuestrua edhe arma e përdorur, një pistoletë me pesë fishekë që ai kishte hedhur në tokë.
I dyshuari është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Kundër tij po zhvillohen hetime dhe pritet ngritja e kallëzimit penal për veprat penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vepruar me vendosmëri kundër çdo akti të paligjshëm dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.







