Edhe një herë iu drejtua Gjykatës.
Por kësaj radhe si palë e dëmtuar e jo si i dyshuar.
Këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti i shoqëruar nga avokati i tij, Burzim Azemi dorëzuan kallëzim penal ndaj kompanisë “ONIMA”.
Kjo sipas tyre u bë në kërkim të të drejtave të autorit.
“Sot e kemi bërë një kallëzim penal ndaj kompanisë Onima dhe asgjë s’po lypim më shumë as më pak, veç të drejtën time dhe të jem i lirë, asgjë tjetër, vetëm paratë e mia. Thjesht, për më shumë rreth kësa flet avokati”, ka thënë Kelmendi.
Sipas avokatit të Kelmendit, Burim Azemi, kompania ONIMA, kishte nënshkruar një kontratë në emër të artistit.
“Në bazë të ligjit për të drejtat e autorit, të gjithë e dimë që të drejtat ekonomike janë të drejta që i takojnë ekskluzivisht vetëm autorit. Gjesti na ka paraqitur një kontratë, në bazë të së cilës janë shitur të drejtat e autorit dhe aty figuron si palë nënshkruese edhe Gjesti.Gjesti asnjëherë nuk e ka nënshkruar atë kontratë, asnjëherë nuk ka qenë në dijeni të ekzistimit të saj dhe as që e ka parë më herët”, u shpreh Azemi.
Për këtë ata kanë kërkuar ndërmarrjen e disa veprimeve.
“Bëhet fjalë për dy vepra penale, të cilat pretendojmë se janë kryer në bashkëkryerje. Natyrisht, kemi propozuar që të ndërmerret edhe ekspertiza e grafologjisë për evidentimin e nënshkrimit, nëse është nënshkruar nga Gjesti apo nga ndonjë person tjetër. Besojmë që ka prova të mjaftueshme dhe mirëpresim fillimin e hetimeve nga prokuroria. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje dhe prova shtesë, çdo gjë që konsiderohet e nevojshme”, theksoj tutje Azemi.
Këngëtari, Besart Kelemendi ishte arrestuar më herët nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje, “Kanosje”, si dhe“Asgjësim apo dëmtim të pasurisë” . ku i ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por ai ishte liruar pas disa ditëve.
Tëvë 1 ka dërguar pyetje edhe tek kompania “ONIMA” për të marrë një përgjigje rreth këtij kallëzimi penal por deri në momentin e transmetimit të kronikës nuk ka marrë përgjigje.



