Në “Ditari” në Tëvë 1, Hysa theksoi se Abazoviq e pret që do të rrëzohet Qeveria dhe të shkohet përsëri në zgjedhje.
“Sot kam kontaktuar me ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Jashtëm të cilët më kanë thënë që iniciativa tashmë është ngritur dhe se janë mbledhur 36 nënshkrime, pra ju duhen edhe pesë nënshkrime në mënyrë që me shumicën e thjeshtë me 41 vota ta sjellin rrëzimin e Qeverisë. Dhe unë mendoj se kjo nuk është ndonjë çudi fare për Abazoviq. Madje në takim këtë ai e pranoi. Ai e pret që të rrëzohet kjo Qeveri dhe të shkohet në zgjedhje. Dhe tashmë ai ka zgjedhur këtë rrugë politike dhe nuk është për t’u çuditur nëse kjo ndodh shpejt”, tha ai.
Marrëveshja Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.
Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, si dhe i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore. /Teve1.info/