Qëndron me krenari pranë lapidarit ku janë të gdhendura figurat e familjes së tij.
27 vjet më parë, gjatë betejës me forcat serbe, Ardian Rama humbi babanë Farukun e vëllezërit Albertin e Agronin.
Tërë këto vite pas, ai ka ende të freskëta momentet e para të sulmit.
“Më 27 mars, rreth orës 2:30, te familja e Halimajve, forcat e pushtuesit serb janë stacionu aty. Edhe aty kanë shtënë me armë dhe i kanë vra tre anëtarë të kësaj familjeje. Gjatë kësaj periudhe, shpejt e shpejt, 3-4 minuta, Agroni ka vendosur shpejt me i largu gjysmën e familjes”, tregon Rama.
Ardiani tregon reagimin e menjëhershëm për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes në ato minuta kritike.
“Pasi jemi larguar, mbrapa shtëpisë, forcat paramilitare i kanë lënë familjen e Halimajve edhe janë vendosur menjëherë këtu, para shtëpive tona. Edhe aty për aty kanë filluar drejtpërdrejt luftimet”, rrëfen ai.
Derisa rrëfen edhe sakrificën e Albertit e Agronit si udhëheqës të luftës.
“Luftën e ka udhëhequr Agroni, bashkë me Albertin, Farukun edhe anëtarë të tjerë të familjes që kanë qenë këtu ndihmëtarë në forma të ndryshme. Janë edhe tetë anëtarë të familjes aty që gjatë luftimeve, aty që ranë dëshmorë. Falë tyre, ne sot jetojmë të lirë edhe e gëzojmë lirinë…Edhe pse fizikisht nuk janë, po janë gjithmonë mes nesh”, thotë Rama.
Rama u shpreh mirënjohës për gjithë ata që çdo vit e nderojnë sakrificën e tyre me homazhe dhe me fjalë të larta për ta.






