Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e bujqësisë dhe të sektorit agro-ushqimor.
Në kuadër të Samitit të Ballkanit, Hoxha tha se vendet e rajonit përballen me sfida të ngjashme në këtë sektor.
Sipas tij, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta krijon mundësi për promovimin e potencialit bujqësor dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Për rajonin tonë është e rëndësishme aktivitete te tilla, për shkak se vendet e rajonit pak a shumë i kemi dhe hallet e njëjta dhe kapacitetet e njëra për zhvillimin e bujqësisë dhe sektorit agroushqimor. Është shumë e rëndësishme për të promovuar para investitorë e të huaj kapacitetet tona të zhvillimit të bujqësisë dhe mundësive për te investuar. Çdo nismë e tillë është e mirëseardhur”, tha ai për KosovaPress.
Hoxha vlerësoi se bujqësia është sektor strategjik për zhvillimin ekonomik, duke theksuar nevojën për rritjen e kapaciteteve dhe promovimin e saj.
Sipas tij, zhvillimi i këtij sektori ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardit jetësor.
Ai shtoi se veprimtaria bujqësore nuk shërben më vetëm për mbijetesën e familjeve, por paraqet edhe mundësi për biznes fitimprurës.
Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Hoxha bëri të ditur se dy javë më parë kishte pritur një delegacion të kryesuar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja.
Ai tha se në fokus të takimit ishte koordinimi ndërinstitucional për sigurimin e produkteve ushqimore më cilësore për konsumatorët.
“Bujqësia është një nga degët apo sektori strategjik për zhvillim ekonomik të një vendi.. Ne duhet të shtojmë kapacitetet dhe të promovojmë këtë sektorë. Prej aty fillon gjithë ajo rritja ekonomike dhe standardi jetësorë. Sot një kompani bujqësore nuk është vetëm për mbijetesë familjare por është biznes goxha fitimprurës. Bashkëpunime kemi, dy javë para pritem delegacionin e kryesuar nga ministri Armend Muja. Tema kryesore ishte aho për të cilën folëm edhe sot. Koordinumi i përbashkët ndërinstitucional që konsumatorëve tu sigurojmë ushqime më cilësore”, tha ai.










