Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se Qeveria ka ndërmarrë hapa për përmirësimin e mbështetjes ekonomike, fuqizimin e shërbimeve sociale dhe avancimin e kornizës ligjore për personat me aftësi të kufizuara.
Në konferencën e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Shoqata e të Verbërve të Kosovës, me rastin e shënimit të Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë, Hoti ka theksuar se mbështetja financiare është e rëndësishme, por nuk duhet të jetë e vetmja formë e përkrahjes për personat e verbër.
“Unë besoj që mënyra se si një shtet i trajton personat me aftësi të kufizuara, tregon shumë për nivelin e barazisë, solidaritetit dhe drejtësisë për atë shoqëri. Prandaj, angazhimin tonë nuk e kemi kufizuar vetëm në mbështetjen financiare, ndërsa ajo mbetet një çështje shumë e rëndësishme për të gjithë. Ne kemi ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar mbështetjen ekonomike, për të fuqizuar shërbimet sociale dhe për të avancuar kornizën ligjore që garanton të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë Hoti.
Ai ka përmendur edhe rritjen e përfitimeve financiare në vitin 2024, përfshirë kompensimin për shoqëruesit personalë të personave të verbër, sipas kategorive të përcaktuara me ligj.
“Por ne e kemi shumë të qartë që mbështetja financiare, sado e nevojshme që është, nuk mund të jetë kufiri i politikave të Qeverisë. Synimi ynë është që personat e verbër të kenë jo vetëm mbështetje sociale, por edhe mundësi reale për arsim, aftësim profesional, punësim dhe jetë të pavarur”, ka deklaruar ai.
Bekim Krasniqi përfaqësues nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka vlerësuar kontributin e Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në ofrimin e shërbimeve sociale, por ka theksuar se mbështetja ende nuk është e mjaftueshme për përmbushjen e nevojave të personave të verbër.
“Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare ka kontribuar për përmirësimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale, mirëpo do të kisha me thënë edhe specifike për personat e verbër, por jo në masën e mjaftueshme ku shpresojmë që në të ardhmen këto fonde do të shtohen në përmbushjen e nevojave për shërbime, për komunitet, me qëllim që këta persona të jenë sa më të integruar dhe të pavarur e po ashtu me pavarësinë e tyre, të jenë edhe kontribuues në shoqëri qoftë përmes angazhimit në punë, ne do të kemi apo në debate publike”, ka deklaruar ai.
Kryesuesi i konferencës dhe përfaqësuesi i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2024–2026 janë shtypur mbi 2.190 kopje të dokumenteve, legjislacionit dhe politikave në shkrimin Brail, nga të cilat kanë përfituar mbi 800 persona
Hajredini ka thënë se materialet janë shpërndarë në 11 shoqata apo degë të personave të verbër në Kosovë, si dhe në një bibliotekë, ndërsa vlera e realizuar buxhetore për këtë shërbim ka qenë mbi 68 mijë euro.
“Gjatë periudhës 2024 dhe 2026 janë shtypur apo publikuar mori dokumente, legjislacion dhe politika në shkrimin Braille. Do të thotë kemi mbi 2.190 kopje që janë në shtyp, ku nga ky shërbim kanë përfituar mbi 800 persona të verbër, ndërsa materialet janë shpërndarë në 11 shoqata apo degë të personave të verbër në Kosovë dhe një nga bibliotekat që e bën shpërndarjen për të pasur qasje dhe informacion. Kjo ka qenë një vlerë e realizuar buxhetore mbi 68.000 euro”, ka thënë Hajredini.
Ai ka theksuar se kjo është vetëm një nisje dhe se synimi është të vazhdohet me ofrimin e qasjes në dokumente dhe informacione për personat e verbër.










