Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziti i cili të shtunën është zgjedhur kryetar i degës së kësaj partie në Gjilan, ka thënë se për këtë parti marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rëndësisë së njëjtë me ruajtjen e lirisë, pavarësisë e demokracisë.
Ai përmes një postimi në Facebook duke falënderuar të gjithë anëtarët e degës për besimin e dhënë ka thënë se do të punojnë që t’i realizojnë zotimet e tyre.
“Do të punojmë edhe më fort që zotimet tona politike e programore t’i bëjmë detyra të përditshme në këtë pjesë të Kosovës dhe kudo që jemi bashkë në punë. Synim yni është që rreshtin e gjatë të bashkëpunëtorëve e bashkëveprimtarëve, ta shtojmë e të mobilizohemi edhe më shumë. Përveç ruajtjes së lirisë, pavarësisë e demokracisë së Kosovës, LDK i ka po aq të barasvlefshme marrëdhëniet speciale dhe të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haziri.
Ai ka akuzuar pushtetin lokal në këtë komunë por edhe atë qendror për siç ka thënë ai stangim dhe degradim të projekteve për këtë komunë.
“Është fatkeqësi e madhe që të gjitha programet për familjen e ato infrastrukturore për Gjilanin, pushteti aktual në nivel lokal dhe qendror, i ka stagnuar, i ka degraduar e stërkequr, duke mbetur aty ku i kemi lënë ne si LDK. Mund t’i vonojnë por kurrë s’mund t’i ndalni sepse kemi punuar shumë që t’i bindim qeveritë mike dhe organizatat e fuqishme financiare ndërkombëtare”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se kryesia e re ka misionin rikthimin e LDK-së në Gjilan dhe në tërë Kosovën./teve1.info/







