Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të tre veprimtarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë: Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Sali Mziut.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se identifikimi i tyre, pas më shumë se 27 vitesh, përbën zbardhjen e fatit të tre veprimtarëve që, sipas tij, kishin rol në rezistencën në Skenderaj, Drenicë dhe Mitrovicë.
Haziri ka bërë të ditur se mbetjet mortore të tyre janë identifikuar në mesin e 23 personave, mbetjet e të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë.
“Pas më shumë se 27 vitesh të zhdukur, lajmi i madh është se në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe Idriz Rrecaj, kryetar dhe udhëheqës i LDK-së në Skënderaj dhe Drenicë, dhe Adem Beqiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, të cilët ishin në krye të rezistencës e kryengritjes për liri në Skënderaj e Mitrovicë, sikurse edhe mbetjet e bashkëveprimtarit të tyre, Sali Mziut”, ka shkruar Haziri.
Ai e ka cilësuar identifikimin e tyre si një hap të rëndësishëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.







