Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 28-vjetorin e betejës së 11 gushtit 1998, në të cilën ranë 14 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mbrojtur pozicionet e Dukagjinit përballë ofensivës së forcave serbe.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka theksuar se ushtarët e UÇK-së, pavarësisht epërsisë së forcave serbe në armatim dhe mjete luftarake, qëndruan dhe luftuan deri në fund për mbrojtjen e pozicioneve të tyre.
Ajo ka vlerësuar se qëndresa e luftëtarëve në gushtin e vitit 1998 ishte pjesë e rrugës së pakthyeshme drejt lirisë së Kosovës.
“Komandanti Maxhun Çekaj, Gëzim Dervishaj, Halil Berisha e Malë Zejnaj nga Irzniqi. Enver dhe Orhan Halilaj, Naim Nimanaj, Halil Sejfijaj e Arben Ahmetaj nga Gllogjani. Arton Hasanaj nga Rakoci, Nexhat Humaj nga Baballoqi, Naser Idrizaj nga Kodralia, Hasan Osmani nga Nivokazi dhe Agron Thaqi nga Skivjani. Ata e dinin se përballë kishin një ushtri që kishte më shumë armatim e mjete luftarake, por qëndruan dhe luftuan deri në frymën e fundit për t’i mbrojtur pozicionet e tyre. Mbrapa asaj vije kishte shtëpi, familje dhe një vend që kërkonte të jetonte i lirë. Në gushtin e vitit 1998 kjo qëndresë u pagua me jetë çdo ditë, dhe pikërisht ajo e bëri të pakthyeshme rrugën drejt lirisë. Nderim familjeve që i rritën dhe i përcollën në rrugën e lirisë.Lavdi dëshmorëve të kombit”, ka shkruar Haxhiu./teve1.info/







