Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar Astrit Deharin në 10-vjetorin e ngjarjes në burgun e Prizrenit, duke bërë homazhe te varri i tij së bashku me familjen Dehari dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Haxhiu ka thënë se dhjetë vjet pas kësaj ngjarjeje, familja, bashkëveprimtarët dhe qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi për Deharin.
“Astriti ishte aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe student shembullor i mjekësisë. Një i ri guximtar dhe idealist, me përkushtim të sinqertë politik, që angazhimin e tij e shihte si mënyrë për t’u qëndruar pranë njerëzve, sidomos të varfërve, punëtorëve dhe atyre që shteti i kishte lënë në harresë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka shtuar se Dehari kujtohet për guximin, buzëqeshjen dhe idealet e tij, ndërsa ka ritheksuar se kërkesa për drejtësi nuk do të ndalet.
“Dhjetë vjet më vonë, bashkë me familjen e tij, me gjithë shoqërinë dhe qytetarët e Republikës, ende presim drejtësi për vrasjen e tij në burgun e Prizrenit”, shkroi kryeparlamentarja.










