Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk e ka refuzuar dëshminë në Prokurorinë Speciale.
Sipas Haxhiut kryeministri ka promovuar ditë dhe datë, dhe ka ndodhur edhe më herët që të pyetet në zyrë.
Megjithatë, për të është e habitshme se si për këtë rast të ndodhur vitin e kaluar kryeministri është ftuar tani.
“Kurti nuk ka refuzuar të paraqitet si dëshmitar, por si është e mundur që rasti i rezervave shtetërore, që ka ndodhur vitin e kaluar, po ftohet tani? Në ditën kur po bëheshin listat e deputetëve, qëllimet ishin tashmë të qarta. Në qeverinë e kaluar ka lulëzuar korrupsioni, por ne e dimë si janë pasuruar politikanët, askush nuk mund të thotë se kryeministri Kurti është i korruptuar. Por, në të kaluarën janë bërë milionerë politikanët dhe askush nuk merrej me pasurinë e paluajtshme. Kurti nuk ka refuzuar dëshminë, ai ka promovuar ditë dhe datë, dhe ka ndodhur edhe më herët që të pyetet në zyrë”, ka thënë Haxhiu në konferencën e fundvitit për media.
Më tej ajo ka shtuar se e din që ka prokurorë të mirë, por sipas saj problemi qëndron tek personat e lartë si Blerim Isufaj.
“Për qeverinë tonë ka rezultate të pafundme, por hajde të flasim për sukseset e Prokurorisë Speciale. Përveç terrorizmit dhe krimeve të luftës, ajo adreson edhe shpërdorimin e parave dhe a ka ndodhur ndonjë rast ku Blerim Isufaj ka pasur sukses. Unë e di që ka prokurorë shumë të mirë, por problemi qëndron tek personat e lartë, te Blerim Isufaj”, tha Haxhiu.
Ndryshe, kryeministri Kurti më 16 dhjetor është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e përfshirë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.
Ai nuk i është përgjigjur kësaj ftese mirëpo i ka ftuar prokurorët të shkojnë në zyrën e tij në Kryeministri për ta marrë në pyetje si dëshmitar.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, të hënën ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që “synon ta politizojë” drejtësinë.
“Ftesa për dhënien e dëshmisë është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë Qeverisë së Kosovës që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë”, ka thënë ai./teve1.info/