Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të muralit “Çast” në komunën e Therandës, vepër e dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në fjalën e saj, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e kujtesës kolektive dhe të drejtësisë për viktimat, duke e cilësuar muralin si një simbol që kujton një krim që nuk duhet harruar.
“Murali “Çast” i kushtohet të mbijetuarve dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në filozofi, çasti shpesh është parë si më shumë se një njësi kohe. Nietzsche flet për të si për një portë. Edhe sot, para këtij murali, fjala ‘Çast’ nuk na fton të mendojmë vetëm për një moment të kaluar. Na vendos në një prag: nga njëra anë kujtesa e një krimi që nuk duhet mbuluar asnjëherë; nga ana tjetër përgjegjësia jonë për drejtësi, për dinjitet dhe për përkujdesje shtetërore”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se çështja e të mbijetuarve nuk duhet të trajtohet vetëm si pjesë e së kaluarës, por edhe si çështje e drejtësisë, dinjitetit dhe mbështetjes institucionale.
“Dua të them qartë se Republika jonë nuk mund ta shohë këtë çështje vetëm si një kujtim të luftës. Është edhe çështje e drejtësisë, e shëndetit, e dinjitetit, e mënyrës si funksionojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Por, është edhe çështje e mënyrës se si sillet familja, si sillet lagjja ndaj këtij krimi, mediat po ashtu, shkollat, institucionet e drejtësisë, dhe përfundimisht zyrtarët e Republikës së Kosovës”, ka pohuar ajo.
Haxhiu ka përmendur emërimin e Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani si të dërguara të posaçme për çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe hapjen e Zyrës për Mbështetjen e të Mbijetuarave dhe të Mbijetuarve në Presidencën e Kosovës.
“Ato po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur të gjallë kërkesën për drejtësi, për ta kthyer njohjen e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve në detyrë shtetërore, dhe për t’i dhënë kësaj çështjeje vendin që i takon në ndërgjegjen publike të Kosovës. Po ashtu, në Presidencën e Republikës së Kosovës është hapur Zyra për Mbështetjen e të Mbijetuarave dhe të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, si një hapësirë e sigurt për dëgjim, për këshillim, për orientim por po ashtu edhe për mbështetje”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka ftuar të gjithë personat e prekur nga kjo dhunë që t’i drejtohen Presidencës për mbështetje dhe adresim të shqetësimeve të tyre.
“Sigurisht që kjo mbështetje nuk ka nisur sot. E nderuar Presidente Jahjaga, ju dhe Fondacioni Jahjaga për vite me radhë e keni mbajtur të vërtetën e personave të dhunuar gjatë luftës, aty ku shpesh të tjerët kanë ngurruar ose kanë hezituar që ta çojnë. Në vende ku njerëzit e kanë më të vështirë ta shmangin: në art, në hapësirën publike dhe në biseda që nuk kanë qenë gjithmonë të lehta”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu ka shprehur mirënjohje për Fondacionin Jahjaga, komunën e Therandës dhe artistët që realizuan muralin, duke theksuar se vepra kontribuon në ruajtjen e kujtesës dhe ndërgjegjesimit publik.
Sipas saj, murali “Çast” është një nderim për të mbijetuarit dhe një kujtesë e përhershme se ata nuk duhet të lihen kurrë vetëm.
“Murali “Çast” është nderim për personat e dhunuar gjatë luftës, mirënjohje për ata që kanë folur, respekt për ata që nuk kanë dashur ose nuk kanë mundur të flasin për arsye që dihen, dhe kujtesë për ne të tjerët se kjo e vërtetë nuk mund të mbahet më në skaj të ndërgjegjes publike. Për këtë dua ta falënderoj Fondacionin Jahjaga, komunën po ashtu, artistët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë mural. Një vepër e tillë nuk e zëvendëson drejtësinë e as nuk e shëron dhimbjen por e bën më të vështirë harresën. Prej sot, ky mur nuk është vetëm një pjesë në një lagje në këtë komunë, është pjesë e kujtesës sonë. Kush kalon pranë tij, le ta dijë se këtu nderohen njerëz që nuk duhet të ishin lënë kurrë vetëm”, ka përfunduar Haxhiu./teve1.info/







