Sokol Havolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se meritat kryesore për ringritjen e partisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit i takojnë kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se edhe bartësja e listës dhe kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në rritjen e rezultatit të partisë me rreth pesë për qind krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Natyrisht që meritat kryesore për ringritjen e LDK-së i takojnë kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili ka bërë maksimumin për ta bashkuar LDK-në, përfshirë edhe zonjën Osmani. Sigurisht që edhe Osmani ka kontributin e saj në rritjen e LDK-së. Duhet ta kemi parasysh se jemi rritur për pothuajse pesë për qind, që është një rritje mjaft substanciale. Prania e Osmanit si bartëse e listës dhe si kandidate për presidente është vlerësuar lart nga qytetarët gjatë fushatës. Megjithatë, angazhimi ka qenë i përbashkët, nga Abdixhiku deri te secili aktivist i partisë”, ka thënë Havolli.
Ai ka shtuar se kontributi i Osmanit ka qenë i rëndësishëm dhe se, në rrethana të tjera, LDK-ja mund të kishte pasur një rezultat më të dobët.
Havolli ka komentuar edhe deklaratën e Osmanit se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye ta refuzojë emrin e saj për presidente.
Sipas tij, kjo deklaratë lidhet me faktin se para pesë vitesh ishte pikërisht Vetëvendosje ajo që e kishte propozuar Osmanin për presidente, ndërsa LDK-ja e kishte mbështetur atë kandidaturë duke siguruar kuorumin e nevojshëm në Kuvend.
“Osmani ka thënë se nuk ka arsye që Vetëvendosje të mos e mbështesë, sepse para pesë vitesh ishte propozim i kësaj partie për presidente. Si e tillë, ajo u mbështet edhe nga LDK-ja, e cila qëndroi në sallë dhe siguroi kuorumin e nevojshëm. Ne atëherë nuk kemi qenë bllokues në procesin e krijimit të institucioneve”, ka deklaruar Havolli.
Ai ka shtuar se Osmani ka theksuar edhe sot pas zgjedhjeve se emri i saj nuk do të jetë pengesë për krijimin e institucioneve të reja.
“Osmani ka qenë e qartë gjatë gjithë fushatës se në asnjë rrethanë emri i saj nuk duhet të jetë pengesë për arritjen e marrëveshjeve politike dhe krijimin e institucioneve stabile”, është shprehur ai.
I pyetur nëse deklarata e Osmanit nënkupton se posti i presidentit nuk do të jetë kusht i LDK-së në negociatat për bashkëpunime paszgjedhore, Havolli tha se partia e tij as vitin e kaluar nuk e ka pasur këtë post si kusht.
“Sa i përket postit të presidentit, LDK-ja as vitin e kaluar nuk e ka pasur si kusht. Ne kemi kërkuar që zgjidhja e kësaj çështjeje të bëhet përmes një kandidature konsensuale ose nëpërmjet një marrëveshjeje politike. Asnjëra nga këto nuk është ofruar nga Vetëvendosje. Ne vazhdojmë të besojmë se zgjedhja e presidentit duhet të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë politik”, ka përfunduar Havolli.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e 100 % të votave nga vendvotimet e rregullta.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, nga ky proces i numërimit e treta është sërish Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka siguruar 17,58% të votave, respektivisht 122,575 vota.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit pati 13,57%.
Me projeksionin aktual, LDK është rritur me pesë deputetë.
Në zgjedhjet e kaluara i pati 15 sosh.
Bartëse e listës së LDK-së në këto zgjedhje ishte ish-presidentja Vjosa Osmani, njëhreësh kandidatë për presidente e cila u rikthye në LDK./teve1.info/







